Të paktën 127 persona kanë vdekur në përmbytjet shkatërruese që përfshinë këtë javë pjesë të Europës, mes frikës se më shumë viktima mund të gjenden në rrënojat e ngatërruara të ndërtesave, pemëve, linjave të energjisë dhe makinave të lëna nga ujërat e tërbuara. Reshjet e mëdha të shiut dhe balta nga vërshimet e lumenjve i kanë kthyer peisazhe piktoreske dhe qytetet historike në zona katastrofash në pjesë të Gjermanisë, Francës, Zvicrës, Luksemburgut dhe Holandës. Epiqendra e krizës është në Gjermaninë perëndimore, në landet e Rhineland-Palatinate dhe North Rhine Westphalia.
Gjashtëdhjetë vdekje janë konfirmuar në Rhineland-Palatinate dhe 44 në Nordrhein-Westfalen, duke e çuar në 104 numrin kombëtar të viktimave. Përtej kufirit, në Belgjikë, numri ka arritur në 23 viktima. “Më shumë trupa u gjetën gjatë natës në rajonin e Wallonisë jugore”, njoftoi agjencia e lajmeve Belga.
Ushtria gjermane është në gatishmëri katastrofash me rreth 900 trupa që u janë bashkuar punëtorëve të shpëtimit në të gjithë zonat e përmbytura të vendit. Rreth 1 300 persona janë ende të zhdukur në distriktin kryesisht rural të Bad Neuenahr-Ahrweiler në landin e Rheinland-Pfalzit, megjithatë rrjetet e paralizuara të celularëve mendohet të jenë pjesërisht fajtorë për mungesën e kontakteve.
Gjithashtu, të paktën 362 persona janë plagosur në zonë. Problemet e komunikimit të lëvizshëm, rrugët dhe hekurudhat e përmbytura, si edhe urat e përmbytura po pengojnë aftësinë e shpëtuesve për të arritur te banorët. Uji i pijshëm mungon në pjesë të rajonit të goditur nga kriza. Ndërkohë, situata ka mbetur e tensionuar në të gjithë rajonet e goditura nga kriza, me disa spitale dhe shtëpi pensioni të evakuuara. “Rreth 1 200 shtëpi janë pa energji elektrike në Leverkusen në North Rhine Westphalia”, thanë autoritetet.
Ndërsa kushtet e motit kanë filluar të përmirësohen, fokusi mbetet në lumin Meuse, që përshkon qytetet, përfshirë Liege dhe Namur. Në Holandën Jugore, qindra banorëve u tha të linin shtëpitë e tyre në rast se përmbytja përkeqësohej. Ushtarët po përforcojnë brigjet e lumenjve dhe digat me thasë me rërë.