Pavarësisht përplasjeve të tyre politike, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka dalë në mbrojtje ish presidentit Hashim Thaçi duke thënë se askush nuk ka të drejtë ta quajë atë “zagar të amerikanëve”.
Pohimet e saj, kryetarja e shtetit të Kosovës i bëri për prestigjiozen gjermane “Der Spiegel”.
“Der Spiegel” ka pyetur Osmanin nëse ka ardhur koha që Kosova të rivlerësoje relatat me SHBA-ne, në një kohë kur “presidenti Thaçi, shpeshherë i shpotitur si zagar në prehër të amerikanëve, gjendet në burg në Hagë.” Osmani është përgjigjur duke thënë se askush s’do të duhej ta quante Thaçin të tillë, duke thënë se ai ka qenë kryeministër dhe kryetar i shtetit në kohëra historike. Osmani u shpreh se raportet me SHBA-në nuk varen nga personeli politik.
“Përkundër krejt diferencave politike që mund t’i kemi pasur me Thaçin, askush nuk do të duhej ta quante atë ‘zagar të amerikanëve’. Sa i përket marrëdhënieve me SHBA-në: ato janë një lidhje e veçantë, që na mbajnë bashkë. Ne nuk e harrojmë rolin e amerikanëve në Kosovë në vitet 90-të”, deklaroi presidentja e Kosovës.