Kryeministri Rama organizoi ditën e sotme një takim me strukturat vendore të Policisë së Shtetit dhe ndau me ta disa shqetësime dhe disa prioritete që drejtuesit e rinj duhet të kenë parasysh. Të pranishëm ishin dhe Ministri i Brendshëm, Zëvendësministrat, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe Drejtuesit e rinj.

“Sot dëshiroj që t’ju komunikoj edhe publikisht një sërë shqetësimesh po mbi të gjitha pritshmërishë dhe objektivash të ndara së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshme lidhur me punën e Policisë së Shtetit. Së pari dua t’i uroj punë të mbarë të gjithë drejtuesve të rinj të qarqeve dhe duke shpresuar që këto lëvizje të cilat do të shoqërohen me lëvizje të mëtejshme në të gjithë piramidën e policisë së shtetit deri në nivelin e komisariateve të vlejnë për një rienergjizim të domosdoshëm në një fazë të re ku hyn reformimi dhe transformimi i mëtejshëm i Policisë. Pa diskutim që Policia e shtetit sot ka jo pak arsye për të qenë krenare lidhur me punën e saj po pikërisht pse ka dhënë provën se në këtë vend mund të ketë një Polici me standarde europiane, edhe pritshmëria edhe pakënaqësia e qytetarëve është në një nivel domethënës. Pritshmëria lidhet me domosdoshmërinë që Policia si çdo strukturë e shtetit të ecë më shpejt dhe të japë rezultate më domethënëse. Pakënaqësia shkon bashkë me pritshmërinë.” – deklaroi Rama

“Dua ta nis këtë renditje të problematikave pikërisht nga raporti i Policisë së shtetit me qytetarët. Është e pajustifikueshme që rastet e referuara të mungesës së etikës në komunikim me qytetarët sidomos nga ana e forcave Shqiponja dhe nga Patrulla e Përgjithshme, të cilat e kapërcejnë rolin e tyre, të shënohen si raste të rritura. Rritja e rasteve të mungesë së etikës është domethënëse për ta kuptuar situatën e përgjithshme psikologjike dhe nivelin e përgjithshëm të mobilizimit të forcave të Policisë që janë në kontakt të vazhdueshëm me problemet e qytetarëve. Imazhi shumë pozitiv i konsoliduar në këto vite, nuk mund të cenohet e aq më pak të lëndohet duke afektuar gjithë policinë e shtetit në optikën e opinionit publik. Ky është dhe prioriteti i prioriteteve për të gjithë drejtuesit e rinj të Policive vendore që mbrojtjen e imazhit të Policisë duhet ta kenë dritë në syrin e tyre. Policia e Shtetit është vlerësuar prej disa vitesh si një nga institucionet me besueshmërinë më të lartë dhe cenimet etike si dhe lëndimet e imazhit të saj, rishfaqja e rasteve të korrupsionit të vogël, nga forcat e Policisë Rrugore, janë të patoler5ueshme. Dua të vlerësoj këtu, rolin e SHÇBA dhe ta nxis publikisht që të veprojë shumë më fort ndaj këtyre rasteve. Ne e kemi rritur rolin ndëshkues të Policisë Rrugore ndaj shkeljeve. Është e papranueshme që kjo të shërbejë si një mundësi e re për të ushtruar presion mbi drejtuesit e automjeteve për qëllimin e neveritshëm të përfitimit të ryshfetit dhe është e pajustifikueshme që me gjithë rritjen e forcës ndëshkuese të policit rrugor falë ndryshimeve të fundit në Kodin Rrugor, qytetarët të mos ndjejnë një ndryshim thelbësor në disiplinën e qarkullimit rrugor. Ky është fakt. Vetë strukturat e Policisë së Shtetit dhe struktura e SHÇBA konstatojnë se në punën e komisariateve rastet e denoncimeve të qytetarëve nuk trajtohen me përgjegjësinë e duhur dhe në kohën e duhur. Dhe për më tepër sot kur ne jemi tanimë në sezon turistik dhe numri i lartë i pushuesve që hyjnë dhe dalin në vend është domethënës, të kemi policinë e shtetit përmes individësh të padenjë. Që t’i shkojë kundra detyrimit të çdo strukture të shtetit për t’i pritur të gjithë pushuesit sipas traditës më të mirë shqiptare dhe sipas standardeve më të mira të një vendi që pretendon të bëhet kampion i turizmit në Ballkan. Mungese etike, mungesë komunikimi, implikime në veprime abuzive nga personeli policor janë shfaqje të neveritshme që duhen luftuar pa asnjë kompromis. Këtu dua të nënvizoj shumë fort një fakt që është sfidues për ligjin, shtetin dhe Policinë e Shtetit. Kush janë këta pronarë lokalesh në zonën bregdetare, që në mënyrë të hapur shkelin ligjin, tejkalojnë kufirin e orës policore, krijojnë hapësirë abuzimi të atillë që degjeneron deri krisma dhe në plagosje në mes të një dynjaje të tërë. Këta janë tutorët e {Policisë së Shtetit në ato territore. Këta janë korruptuesit e Policisë së Shtetit, janë abuzuesit më të mëdhenj me uniformën e policisë që tërheqin për hunde shefa komisariatesh, duke i kthyer në roje të aktivitetit të tyre të paligjshëm. Rasti i Sarandës ishte një rast alarmant dhe e kam ndarë këtë me Ministrin e Brendshëm q2ë ai rast duhet të çonte në ndëshkimin penal të të gjithë zinxhirit të komandës në Sarandë. Kush e mban përgjegjësinë për nxjerrjen e armëve dhe sakatimin e njerëzve në lokal, përveçse ata të cilët kanë lejuar që ai aktivitet të lejohen në shkelje të ligjit.” – u shpreh Kryeministri.

Rama tha nuk mund të hynte te ata që fajësojnë Policinë e Shtetit që një i çmendur shkel gazin dhe sakaton njerëz të pafajshëm në rrugë, apo se dy palë futen në një konflikt që degjeneron në shkrehje karikatorësh në trupin e njëri tjetrin, por nga ana tjetër nuk mund të ndahet nga gjithë opinioni publik kur Policia e Shtetit të Sarandës lejon një arenë zhurme. Ahengu, shëmtie pas mesnatës që mbaron me plumba.

“Sot ne jemi përballë edhe ca faktesh të ekspozuara nga veprimtaria e disa efektivëve të policisë së Shtetit në të shkuarën jo të largët, të implikuar në veprimtari kriminale. Është shumë pozitive që këta individë ekspozohen dhe marrin atë që meritojnë por është shumë domethënëse për të kuptuar se çfarë duhet të parandalojmë në trupin e Policisë së Shtetit. Nga ana tjetër, është viti i disatë që ne shikojmë me keqardhje që Policia dhe drejtuesit e saj në nivel vendor akoma nuk e kanë përvetësuar plotësisht dhe nuk e kanë bërë pjesë organike të punës së tyre misionin e mbrojtjes së territorit në çdo aspekt. Ka qenë një problem i madh i të gjithë administrimit dhe menaxhimit tonë të shtetit për dekadit, ndarja e policisë nga ky mision. Ne e kemi njësuar këtë mision me Policinë e shtetit në të gjithë aspektet e cenimit të pronës publike dhe të mjedisit. Përse duhet të kemi akoma shfaqje sado sporadike të ndërtimeve pa leje. Vetëm një arsye, korruptimi i efektivëve të Policisë së Shtetit. Ndërkohë që në parlament ka kaluar një tjetër paketë përforcuese e fuqisë së ligjit në raport me mbrojtjen e territorit. Kostot e ndërtimeve abuzive janë marramendëse për shtetin shqiptar dhe qytetarët s’kanë ndërmend të paguajnë asnjë cent. Raporti me qytetarin të strukturës që drejton dhe raportin me territorin duhet t’i ketë si dy anët e së njëjtës medalje të punës së përditshme. Janë çuar për ndjekje penale fshatarë në zona të humbura për një avlli dhe ndërkohë janë toleruar veprimtari kriminale të ndërtimit pa leje në zonat turistike, të mbrojtura, natyrore, arkeologjike etj. Është krim i përcaktuar si i tillë në kodin penal të Republikës së Shqipërisë, të ndërtosh pa leje, dhe këto skena krimi zhvillohen në sytë e policëve. Kjo nuk ka asnjë emër tjetër përveç korrupsion. Ajo që unë konsideroj problematike në Policinë e Shtetit është mos informimi permanent me ligjin dhe parimet ligjore që operon policia e shtetit. Ligjin duhet ta zbatojë çdo punonjës policie në çdo cep të territorit. Policia e Shtetit duhet të jetë një vatër dije për praktikat e teknologjisë dhe inovacionit, dije për praktikat ligjore dhe administrative, dije për praktikat e mira deri tek sjellja. Edukimi në vazhdim, trajnimet, provimet të jenë të pandërprera, për të gjithë. Qëllimi i këtyre ndryshimeve në Policinë e Shtetit është i qartë, dhe synimi i materializuar në personat që sot drejtojnë falë besimit që kanë marrë nga drejtori i përgjithshëm, është që njerëz me profesionalizëm, me integritet dhe rezultate marrin në dorë drejtimin e policisë në këtë fazë të re. Një fazë e re e planifikuar prej kohësh, e përshpejtuar edhe nga ngjarjet e fundit, që kërkon ngjitjen e mëtejshme në nivel mesatar evropian, me shifra dhe standarde të Policisë së Shtetit.” – shtoi Kryeministri.

Rama më tej ndau disa prioritete me drejtuesit e rinj të strukturave vendore, ku tha: “Nëse do të rendisja prioritetet me numra do t’iu thoshte që i pari është raporti me qytetarit që kërkon që patrullat e rendit, forcat shqiponja, policia rrugore dhe kufitare të hyjë në një proces shumë të fortë shkundjeje dhe lëvizje brenda përbrenda për të promovuar oficerë si ju vetë që keni marrë një besim të ri dhe për të garantuar që marrëdhënia me qytetarin të jetë a dhe zh për çdo punonjës policie. Mjaftojnë shumë pak individë për ta degraduar imazhin e policisë.
Prioriteti i dytë i Policisë së Shtetit është kontrolli i plotë mbi territorin, në sensin e mbrojtjes pa kompromis të pronës publike dhe mjedisit. Policia e Shtetit është gardiani për mbrojtjen e pacenueshmërisë së trupit të këtij vendi. Operacioni i nisur duhet të jetë një operacion shembullor. Leximi i vëmendshme i Kodit Penal thotë se pas çdo ndërtimi pa leje ka një përgjegjësi penale. Një zinxhir i tërë, çdo person i përfshirë në ndërtim pa leje është subjekt i ligjit. Leximi dhe zbatimi i ligjit është një prioritet absolut i të gjithë drejtuesve të rinj të policisë.
Prioriteti numër tre i Policisë së Shtetit është lufta kundër standardeve të dyfishta. Policia e Shtetit duhet të jetë shembulli dhe pasqyra e faktit që kjo gjë është e detyrueshme dhe e mundur.
Prioriteti numër katër lidhet me avancimin e mëtejshëm të avancimit teknologjik në Policinë e Shtetit. Policia ka një flotë të re mjetesh por ka nevojë për mbështetje për monitorim teknologjik të territorit. Për këtë arsye ne, jemi duke punuar intensivisht që të realizojmë monitorimin me kamera në të gjithë territorin, po ashtu shtrirjen e sistemit të kamerave të trupit, po ashtu vënien në dispozicion të strukturave të policisë së shtetit të super teknologjisë me dronët super inteligjent për monitorim në kohë reale të territorit, duke pasur kështu një sy në qiell, që të japë informacion për çdo rrënjë kanabisi, ndërtim pa leje, cenim pyjesh, etj. Prioriteti i fundit është vënia në përdorim me një protokoll më rigoroz i komisariatit digjital. Komisariati digjital ka qenë një ndihmë shumë e madhe dhe tani kemi mundësinë ta çojmë në nivel tjetër, në mënyrë që çdo qytetar ta ketë në xhep. Do të përmend një element që është shumë shqetësues, de3noncimet për dhunën në familje. Është shumë shqetësuese që policia e shtetit ka një ndjeshmëri të ulët ndaj këtij fenomeni. Kjo është e pakomentueshme. Në këtë aspekt, duhet ndërtuar një rrjet me persona përgjegjës, që të merren me dhunën në familje dhe çdo thirrje të trajtohet me përgjegjësi dhe përkujdesje. Nuk mund të ketë mirëkuptim me burrat në këtë fushë.”

Kryeministri, në fundin e takimit deklaroi se pritshmëria është e lartë dhe ky fakt është shumë motivues, frymëzues dhe frytdhënës. “Nga unë personalisht, nga shumica e dalë nga zgjedhjet, shumë e lartë nga strukturat dhe shumë e lartë nga Policia e Shtetit. Kësaj pritshmërie duhet t’i qëndrojmë përballë, sepse është arritja juaj, që Policia e Shtetit nga një nivel i ulët e keni çuan në një nivel të konsiderueshëm. Unë dua t’ju them që keni 100 ditë kohë për ta rivënë të gjithë trupën në angazhim maksimal nga i pari tek i fundit, 100 ditë, që qytetarët të marrin frymë të lehtësuar duke parë policinë e shtetit në një nivel tjetër.” – përfundoi Rama.