Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj deklaroi sot se zyrat e Gjendjes Civile në gjithë vendin do të zgjasin orarin e shërbimit, për shkak të numrit të lartë të aplikimeve për karta identiteti apo pasaporta biometrike. Ai solli pamje nga Kavaja ku edhe pse ora kishte kaluar 17:00, zyra e aplikimit për dokumente biometrike ishte e mbushur me qytetarë. “Kryesisht janë shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë Shqipërisë dhe ditët e pushimeve në atdhe i shfrytëzojnë edhe për t’u ripajisur me ID karta apo pasaporta biometrike”, theksoi Doracaj.
Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj ishte për inspektim në këtë zyrë, në orët e pasdites. Pasi pa nga afër masat e marra për të përballuar fluksin, Doracaj garantoi qytetarët se zyra do të jetë e hapur, jo vetëm në këtë qytet por kudo ku aplikohet, deri në marrjen e shërbimit nga qytetari i fundit në radhë. “Zyrat e Gjendjes Civile në gjithë vendin në bashkëpunim me kompaninë koncesionare “Aleat” përgjatë gjithë ditëve që do të ketë numër të lartë aplikimesh do të zgjatin orarin e shërbimit”, theksoi ai.