Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se iniciativa e mini-Shengenit që të enjten mori emër të ri duke u quajtur “Ballkani i Hapur” është tendencë e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç për hapje të Ballkanit ndaj Rusisë dhe Kinës. Pasi u pyet nga gazetarët për takimin e liderëve të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë të enjten në Shkup, Kurti shtroi pyetjen se për çfarë do të jetë i hapur Ballkani.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, kreu i Ekzekutivit tha se për sa kohë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç refuzon të ballafaqohet me të kaluarën e shtetit të tij dhe të vetes së tij, duket tendenca e tij që Ballkani të jetë i hapur për fuqitë nga Lindja, sidomos për Federatën Ruse, por edhe për Kinën.

Këto komente Kurti i bëri pas vizitës në ekspozitën e librave të vjetër dhe shtypit të kohës gjatë demonstratave të vitit ’81, në veçanti atyre që i referohen figurës së Ukshin Hotit. Kurti, mori pjesë në bashkëbisedimin me poetin e mirënjohur Xhevdet Bajraj në Teatrin Kombëtar, me ç’rast edhe u promovuan librat e tij: “Ca kokrra rrushi nga Rahoveci”, “Kur qajnë hardhitë”, “Me zemër në qese najloni” dhe “Vrasja e Mushkonjës”.