Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka sulmuar Kryeministrin Albin Kurti. Në një postim në mediat sociale, teksa komenton bilancin 6 mujor të qeverisë së Kurtit, Haradinaj e quan Kryeministrin mburravec.

Sipas kreut të AAK, Kurti ka mashtron kur thotë se është rritur qarkullimi i bizneseve me 30%, pasi siç thotë ai krahasimi është bërë me vitin 2020, që ka qenë një nga vitet më të këqija për ekonominë.

“Thotë se është rritur qarkullimi i bizneseve mbi 30% dhe të hyrat buxhetore të shtetit!? Po, është rritur qarkullimi, pasi që e ke krahasuar me vitin 2020, vit i pandemisë, vit i mbylljes totale të ekonomisë dhe aktivitetit biznesor!

Po, janë rritur edhe të hyrat buxhetore, sepse i ke krahasuar me vitin më të jashtëzakonshëm që historia njerëzore njeh. Edhe më shqetësuese është rritja e të hyrave buxhetore të lidhura me import, veçanërisht importin nga Serbia, që po përjeton ngritjen më të madhe ndonjëherë. Praktikisht gjithçka po shkon teposhtë”, shkruan Haradinaj.

Më tej ai shprehet se kreu i qeverisë duhet të kujdeset për situatën pandemikë dhe gjendjen alarmante që ndodhet vendi.

“Kush je ti në të vërtetë? Ti që premton parajsën e po i jep popullit zhgënjimin. Ti që ke premtu bashkimin, e po e marrim ndarjen. Ti që ke premtu pavarësim, e po marrim degradim!”, mbyll reagimin kreu i AAK.