Nga Enxhi Hoxha

Njeriu mund të dimensionojë veten në vrapin e trajektores së ëndrrave, mund të stimulojë mekanizma emocional për projektimin e tij në majë, mund të investohet pakursim për një mision jetik vetjak, por s’mund të bëhet kurrë, çfarë nuk është i destinuar të jetë. Ky është rasti i Lulzim Bashës, politikanit që s’mund të jetë lider. Mbrëmjen e errët të 9 Shtatorit, një vendim stuhi lëshoi copëza të akullta mbi selinë blu, strehën pa çati të demokratëve ku breshëria e disfatave nuk po kursehet, ndonëse riciklimi i zhgënjimeve është tepër i rëndë për supet embrionalo-politike të Bashës. Ai tentoi marrjen e një akti moral e ligjor, por harroi se është peng i së shkuarës, asaj që e mori nga Hollanda per t’i dhënë post ministror, që i dhuroi partinë, që i fali ulësen e kryetarit, që i bënte prudencën në çdo lëvizje dhe e udhëzonte pafajësisht qorrazi. Të shkuarës, me emrin Sali Berisha, të cilën e dorëzoi, e mohoi, e tradhëtoi, e përdhosi, e përjashtoi. E kjo, ishte surprizë e hatashme për Berishën, makth i paparashikuar ku besimi iu kthye në boomerang pabesie nga foshnja e tij politike. Hiç më pak, nga çfarë kishte bërë ai me të tjerët!

Sali Berisha e kishte kurdisur kukullën me planifikim shumëvjeçar për këtë momentum, decisiv të fatit të tij politik, çast drithërues që ia zhvesh cipën e vlerës fasadë, që e indukton të lexojë në sy të vërtetën prej së cilës ka 30 vite në arrati. Sali Berisha është autori i kultivimit të regresit në Shqipëri, rrëmbyesi në trajtë represive i organeve të drejtësisë, katalizatori i mbajtjes peng e ecjes pas në shinat e prosperitetit, njeriu që bëri gjithçka për jetëgjatësinë e luftës në emër të pushtetit, arkitekti i lidershipit komunist në epokën e demokracisë. Një përgjim i Spartak Ngjelës, në vitin 2006 brenda mureve të udhëheqjes qendrore, ishte dëshmi në murin e së vërtetës, për mënyrën sesi Berisha qeveriste vendin. Tejet qesharake, e trishtë, e turpshme, vrastrare për demokracinë, të dëgjoje urdhrin absolut të tij në kërkesën drejtuar z.Ngjela për t’u dorëhequr. Berisha ushtronte presion të frikshëm, mësuar në vitet ku udhëheqja shpirtërore e emëroi në pozicionin e sekretarit të Enver Hoxhës, por me ndryshimin e vetëm, ai nuk kishte burrërinë të komunikonte publikisht shkarkimin e Spartak Ngjelës, sepse qasja komuniste s’duhej të shfaqej në vitrinën e demokracisë. Ai gëzonte pushtet absolut përmes induktimit të frikës së shkarkimit, heqjes së kompetencave e përjashtimit prej grupit parlamentar. Kjo e fundit ishte taktikë fatale për deputetët e bindur rishtazi, ndaj as nuk tentonin t’i kundërviheshin politikave të tij zhgënjyese për ardhmërinë e vendit, ata e njihnin mirë Sali Berishën dhe fundin që ua servirte me rrjetin e tij enverist. Ç’ke bërë do të të bëjnë, thonë o Sali! Ti nuk e besove derisa e pësove, pikërisht nga pjella dështake e kupolës tënde.

Kur muaj më parë, kandidatët potencial për postin e kryedemokratit, adresonin publikisht pabarazinë e garës, parregullsinë e procesit, favorizimin e zhurmshëm të Lulzim Bashës dhe shkeljen e faktuar të statutit të partisë, Berisha zgjodhi heshtjen. Atij, fare qartë, nuk i interesonte zvetënimi i demokracisë së partisë, por lidershipi që do t’i ofronte avokati ekstreme në duelin me SHBA-në, prandaj riciklonte Bashën çdo katër vite. Në këtë fund pa lavdi, Basha zgjodhi ta braktiste, pragu i interesave vetjake ia bëri kurban babain politik. Shumë e kanë gjykuar, por pa e kuptuar se teknika e eleminimit të gjithëkujt që shfaqet si pengesë, ishte leksion i lexuar në librin e të bërit politikë, me autor Berishën.

Lulzim Basha, me video-deklaratën për shtyp të 9 Shtatorit, lexoi lajmërimin e varrimit politik të Sali Berishës. Mosmirënjohja e tij reflektohej në sytë plot zhgënjim të Berishës, i cili as në projeksionet më të largëta nuk e kishte kalkuluar fundin nga të vetët. Ai nuk vonoi të villte mllefin në çdo ekran, teksa e cilësonte si pabesi, paburrëri, pafytyrësi, vendimin e Bashës. Urrejtja e tij nuk kurseu as deklaratën se Basha nuk e risjell kurrë PD-në në pushtet. Berisha nuk ka më filtra, sepse nuk ka çfarë të humbi. Ai refuzon ta pranojë, por e di se ky është fundi pa lavdi!