Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka folur pas takimeve që ka pasur sot në Bruksel me qëllim të shtesnionimit të situatës në veri. Bislimi ka thënë se është arritur një draft final dhe pritet e njëjta të miratohet edhe nga pala serbe, para se marrëveshja të quhet si e finalizuar.
Bislimi ka thënë për RTK-në se janë dakorduar që nga e hëna Kosova dhe Serbia të avancojnë në përdorimin e stikersave në vend të ndërrimit të tabelave. Kjo ka thënë Bislimi është e përkohshme derisa të arrihet një zgjidhje e përhershme për lëvizjen e lirë. Pika e tretë e marrëveshjes për të cilën është pajtuar Kosova është heqja e barrikadave dhe zëvëndësimi i Policisë së Kosovës me KFOR-in.
“Kemi pasur disa takime, të gjitha ishin bilaterale, me z. Lajçak, i cili pastaj ka ndërmjetësuar mes palëve. Qëllimi për ne ka qenë i qartë të arrijmë deeskalimin e të ruajmë reciprocitetin me targa. Deri tash kemi arritur te një draft final, që thuajse është dakorduar në tërësi. Ka mbetur vetëm pala serbe të jap dakordim final. Marrëveshja parasheh tri elemente. E para nga dita e hënë si Kosova ashtu edhe Serbia të avancojnë në përdorimin e stikersave në vend të ndërrimit të tabelave, që ishte edhe synimi i ynë të kemi trajtim të barabartë. Është e përkohshme dhe do të formohet grup punues për gjetje të një zgjedhje të përhershme për lëvizje të lirë të veturave brenda gjashtë muajve. Pika e tretë ka të bëjë me deeskalimin e situatës, largimin e barrikadave nga dy pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak. Sipas kësaj marrëveshje, të shtunën do të vendoset KFOR-i në pikat lartë, e pas disa orëve do të zëvendësohej Policia Speciale, që paralelisht me barrikadat do të largohej nga pikat kufitare”, ka thënë ai.
Bislimi ka deklaruar se e vetmja pikë ku Serbia nuk ka dhënë pëlqimin, para se marrëveshja të quhet e finalizuar, ka të bëjë me veturat KM.
“E vetmja pikë ku Serbia ende nuk e ka dhënë pëlqimin para se marrëveshja të quhet e finalizuar ka të bëjë me veturat KM për të cilat ata mendojnë që nuk do të duhej të aplikoheshin stikersat, kjo është absurde për arsye se ato janë tabela ilegale dhe ne nuk mund të nënshkruajmë marrëveshje ku favorizohen poseduesit ilegal të tabelave kështu që edhe ata do të kishin të njëjtin sistem për aq kohë sa lëvizin në veri, ndërkaq në jug do të konfiskoheshin”, ka thënë Bislimi.