Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ndodhet në New York, pjesë e delegacionit shqiptar të kryesuar nga Kryesministri Rama, në javën e Nivelit të Lartë të Sesionit të 76-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB. Në ditën e parë të qëndrimit në New York, Ministrja Xhaçka, zhvilloi një takim me homologun e saj egjiptian, Sameh Hassan Shoukry.
Ministrja Xhaçka falënderoi homologun e saj për mbështetjen e Egjiptit në zgjedhjen e Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit. Të dy ministrat vlerësuan nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe ndanë mendimin se ekzistojnë mundësitë për zhvillimin e mëtejshëm të tyre, kryesisht në aspektin ekonomik. Në këtë kuadër, ata theksuan rëndësinë e mbajtjes të Sesionit të Parë të Komisionit të Përbashkët Ekonomik, si një forum i rëndësishëm për diskutimin dhe eksplorimin e mundësive për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve.