Kryeministri Edi Rama ka zbuluar për çfarë diskutoi me Presidenten e KE, Ursula Von der Leyen në takimin që patën në Pallatin e Brigadave. Kryeministri tregoi se nuk ka lënë jashtë bisedës njohjen e pavarësisë së Kosovës duke thënë se Presidentja bëri të qartë se arrihet vetëm me anë të krijimit të besimit reciprok mes palëve.
Rama: Kemi folur për ecurinë e procesit të bashkëpunimit rajonal. Dihet që Von der Leyen është një nga bashkëpunëtoret e ngushta të Merkel dhe është njeriu që nisi procesin e Berlinit dhe për këtë arsye, presidentja e njeh mirë procesin, e mbështet plotësisht dhe e sheh ashtu sic është në shërbim të përafrimit të Ballkanit Perëndimor në BE por edhe rritjes së kapaciteteve të Ballkanit Perëndimor.
Në vigjilje të samitit të Ballkanit Perëndimor në BE pas pak ditësh në Slloveni kemi diskutuar për të gjitha problematikat e këtij procesi dhe jemi në të njëjtën linjë për domosdoshmëri për shtyrjen e procesit përpara, për njohjen e Kosovës që kërkon durim, dialog, bashkëpunim, atë që presidentja e nënvizoi krijim të besimit reciprok mes palëve. Pa besimin reciprok mes palëve është e vështirë të arrihet. Kjo kërkon durim dhe mençuri.