Një draft-ligj i hartuar nga Ministria për Administratë dhe Shoqëri Informatike për shkurtimin e orarit të punës të punonjësve të administratës publike në Maqedoninë e Veriut për katër orë ditën e premte, ka nxitur reagime të shumta, në kohën kur administrata kritikohet për joefikasitet në punë.
Nga kjo ministri, miratimin e një ligji të tillë e kanë arsyetuar me përvojat e disa vendeve evropiane për t’i dhënë më shumë kohë të lirë këtyre punëtorëve. Nga kjo ministri kanë sqaruar se nuk këtu nuk përfshihet e gjithë administratën, si punonjësit në arsim, shëndetësi e sektorë të tjerë, që në total arrijnë në mbi 150 mijë punëtorë, por për rreth 20 mijë që janë kryesisht nën kompetencë të qeverisë, do të thotë ministritë, fondet, inspektoratet apo institucionet që janë praktikisht më të nevojshme nga qytetarët.
Sindikata e Organeve të Administratës Shtetërore është për shkurtimin e orarit të punës, por jo për katër orë, edhe atë ditën e premte, por të ketë shkurtim të përditshëm për të paktën një orë.
“Një propozim i tillë është i pakuptimtë, është absurd dhe i palogjikshëm si për punonjësit ashtu edhe për qytetarët. Çfarë do të ndodhë me katër orët e mbetura, do të rriten obligimet në punë në katër ditët e kaluara. Me këtë nuk pajtohet edhe të punësuarit pasi do të kenë ngarkesë shtesë në punë në rast se do të miratohej një propozim i tillë”, thotë Trpe Daenovski, drejtues i Sindikatës së Organeve të Administratës Shtetërore.
Kjo, sipas sindikatës, do të rriste efikasitetin dhe kreativitetin në punë. Bazuar në një hulumtim të bërë, sindikata vlerëson se punonjësit e administratës janë efikas vetëm për gjashtë deri në gjashtë orë e gjysmë në ditë dhe veç kësaj, shkurtimi i orarit të punës do të kursente energji elektrike dhe do të rikthej cilësia e jetës dhe vlerat e familjes.
Por, Konfederata e Bizneseve propozimin e vlerëson jo të drejtë nga punonjësve tjerë që nuk janë pjesë e administratës, andaj edhe kërkojnë që rishqyrtimin e tij.
“Propozimi jo vetëm që është i palogjikshëm, por edhe jo korrekt dhe shqetësues për ne, pasi në rast të shkurtimit të orëve të punës ditën e premte, kjo do të reflektohej në bizneset tona, në zhvillimin e ekonomisë. Veç kësaj, ne jemi dëshmitarë se administrata është joefikase dhe burim i korrupsionit. Si mund ajo të përfitojë beneficione të reja në kohën kur të gjithë ne e kritikojnë punës e administratës? Ajo është në shënjestër të kritikave e thuajse të të gjitha raporteve të institucioneve ndërkombëtare”, thotë Mile Boshkov, drejtues i Konfederatës së Bizneseve.
Temellko Ristevski, profesor universitar dhe njohës i çështjeve të administratës publike, thotë se puna e administratës jo që duhet të shkurtohet, por nevojitet një riorganizim i saj që të jetë në shërbim të qytetarëve.
“Administrata duhet të jetë në shërbim të qytetarëve, duhet të jetë efikase, t’i shërbejë qytetarëve dhe jo të përfitojë, të ketë benificione. Madje mendoj se puna e saj duhet të zgjerohet, në turne. Të ketë shërbime deri në orët e vona, pasi kemi shumë qytetarë që punojnë deri vonë dhe nuk mund të marrin asnjë shërbim nga administrata. Andaj mendoj se ajo duhet të punojë edhe në turne deri në orët e vona, e jo të mendojmë për shkurtimin e punës së saj”, thotë Temellko Ristevski.
Një ide e tillë, për shkurtimin e orarit të punës për katër orë, më herët ishte propozuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim që është pjesë e qeverisë, ndërsa tani ka dalë si propozim nga Ministria e Administratës Publike që drejtohet po nga kjo parti. Ministria ka mohuar që propozimi ka të bëjë me lirimin e punonjësve të administratës, pikërisht ditën e premte për të kryer ritualet fetare, pasi siç kanë thënë, punonjësit e administratës janë pjesëtarë të të gjitha bashkësive etnike dhe fetare.
Kryeministri maqedonas Zoran Zaev, ka thënë se propozimi është i BDI-së dhe jo i qeverisë. Ai ka thënë se propozimi për të është i papranueshëm, por se do të diskutohet për të. Zaev ka pranuar se sindikata po përballet me kritika për punë joefikase.
“Të dhënat flasim se administrata është efikase në masën mes 42 dhe 47 për qind në krahasim me punën e administratës, por edhe të tjerëve në Bashkimin Evropian. Pra, ne duhet të dyfishojmë punën, e kjo në veçanti vlen për administratën për shkak të kritikave që janë të vazhdueshme”, ka deklaruar Zaev. /REL/