Kryeministri i vendit, Edi Rama së bashku me ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, kanë zhvilluar këtë të shtunë një takim me kryetarët e bashkive dhe prefektët e qyteteve bregdetare për pastrimin e territorit.

Ministrja në fjalën e saj u shpreh se duhet të niset menjëherë që tani puna për të pasur plazhe më të pastra, për sezonin e ardhshëm turistik veror.

Do të ketë një shtim të mbështetjes financiare nga ana e qeverisë vetëm për këtë qëllim, ndërsa prej më tepër se një muaj tashmë ka nisur plani i pastrimit, duke nisur me qytetin bregdetar të Vlorës, e që synohet që deri në muajin mars të shtrihet në të gjithë bashkitë e vendit.

“Prej një muaj tashmë kemi nisur planin e pastrimit, duke filluar nga Vlora dhe do e shtrijmë deri në mars në të gjitha bashkitë e Shqipërisë. Nuk e fshehim dot që sezoni që shkoi nga pikëpamja e pastërtisë, transportit etj, lë shumë për të dëshiruar. Kjo është arsyeja, që sezoni turistik nuk fillon në 1 maj apo qershor, për ne që jemi përgjegjës në territor na fillon në 1 mars, do jemi gati të presim vizitorët si të jetë fillimi i verës. Vetëm kështu do të mund të kemi një sezon të suksesshëm, që e presim me një fluks të madh turistësh. Është detyra jonë të jemi të koordinuar në të gjitha hallkat e shtetit”, shprehet Kumbaro.

Ministrja Kumbaro ka përmendur edhe disa prej problematikave, ndërsa shton se javën e ardhshëm do të miratohen 2 VKM në lidhje me rregullat dhe se kush do të jetë përgjegjës për plazhet dhe se si do të monitorohet puna. Më tej, Kumbaro thotë se në buxhetin e këtij viti është miratuar një grant shtesë për ato bashki që në përputhje me ligjin bëjnë menaxhim nga koshi në pikën fundore.

“Nëse më lejoni që të përmend disa nga problematikat. Kemi arritje por nuk nuk kemi kohë të krenohemi me to, sepse duhet të përgatitemi për sezonin që vjen. Kauza e pastrimit është kombëtare, s’mund të jemi patriot nëse nuk duam territorin dhe nëse nuk e mirëmbajmë atë. Ju do të merrni të gjithë kryetarët e bashkive ditën e hënë, një letër ku janë të gjitha rregullat që do ndiqen këtë vit. Do miratohen 2VKM në lidhje me rregullat, kush është përgjegjës për plazhet, si do të monitorohet. Në buxhetin e këtij viti është miratuar një grand shtesë për ato bashki që në përputhje me ligjin bëjnë menaxhim nga koshi në pikën fundore. Ta ndajmë mendjen që mirëmbajtja e territorit, pastrimi i plehrave ka kosto, do ta marrim përsipër dhe do ti ndalim për zot. Këtë vit vijmë me dy shtesa financiare për të fituar betejën. Lufta ka filluar, plani është një plan lufte. Prioritet absolut për këtë mandat është ruajtja dhe pastrimi i mjedisit për të qenë kampion të Ballkanit në turizëm”, tha Kumbaro.