Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerësoi sot ecurinë e vaksinimit ndaj gripit stinor dhe atë të COVID-19 në Shqipëri.
Në një sesion të mbajtur sot në Kopenhagen, OBSH lançoi fushatën antigrip dhe masat antiCOVID ndërsa është prezantuar përmes një kronike ecuria e vaksinimit të gripit stinor dhe antikovid në vendin tonë.
OBSH thekson se “programi i vaksinimit kundër gripit në Shqipëri ka përparuar gjatë viteve të fundit dhe përfshirja e vaksinimit nga punonjësit e kujdesit shëndetësor është shumë e lartë”.
“Vendi iu bashkua Partneritetit për Prezantimin e Vaksinave të Gripit (PIVI) në vitin 2016, por edhe para kësaj, Shqipëria kishte një program kombëtar të vaksinës kundër gripit, të financuar nga qeveria për punonjësit e kujdesit shëndetësor. Që nga anëtarësimi në PIVI, programi i vaksinimit i Shqipërisë është zgjeruar duke përfshirë më shumë punonjës të kujdesit shëndetësor, si dhe për të vaksinuar të rriturit me kushte themelore shëndetësore, gratë shtatzëna, të moshuarit dhe grupet e tjera të synuara”, shprehet OBSH.
Fushata e vaksinimit kundër gripit në Shqipëri filloi më 23 tetor, në Qendrën e Kujdesit Parësor (Nr. 10) në Tiranë. Fushata synoi fillimisht vaksinimin e punonjësve të kujdesit shëndetësor për të vijuar me grupet kryesore të rrezikuara, si të moshuarit, të sëmurët kronikë dhe gratë shtatzëna.
Në raundin e parë mbërriti një dërgesë prej 35 000 vaksinash kundër gripit të porositura nga Instituti i Shëndetit Publik dhe mbështetur nga qeveria shqiptare.
Këtë javë, pritet të mbërrijnë rreth 200 mijë vaksina të reja kundër gripit dhe të shpërndahen menjëherë në të gjitha qendrat e shëndetit publik.
Mjekja Mimoza Kote thekson se “kultura e popullit tonë sa i përket vaksinimi është mjaftueshëm e mirë sepse ne kemi një kalendar të mirë vaksinimi nga 0 deri 18 vjeç, aplikojmë shumë mirë më të gjitha grupmoshat sipas kalendarit. Ne jemi shumë sensibël ndaj vaksinave dhe vaksinat e antigripit sa herë vjen sezoni kërkohen, jemi shumë mirë më vaksinat antikovid, mendoj se jemi shumë mirë me këtë pjesë”.
“Mendoj se jemi mjaftueshëm mirë me pjesën e ndërgjegjësimit dhe aplikimit të vaksinave. Kemi disa vite që aplikojmë vaksinën antigrip në sezonin e duhur. Vjet kemi aplikuar më shumë se vitet e tjera, kjo tregon që njerëzit janë akoma më shumë të ndërgjegjësuar për të aplikuar këtë vaksinë. E kemi aplikuar në grupmoshat e ndryshme sipas udhëzimeve të ISHP-së, tek moshat e treta, tek moshat që janë të sëmurë kronikë, gratë shtatzëna, kemi bërë edhe fëmijë me diagnoza të rekomanduara nga mjeku”, nënvizon Kote.
Sipas saj, duke aplikuar vaksinën antigrip njerëzit janë prekur shumë pak ose e kanë kaluar shumë lehtë.
“Për të sëmurët kronikë kjo është një ndihmesë shumë e madhe në këtë sezon që koha, temperaturat stina bën të vetën për një sërë sëmundjesh të tjera bashkëshoqëruese.
E kemi parë me pandeminë e COVID, që të vaksinuarit e kalojnë disa herë më mirë sesa ata që janë të vaksinuar”, theksoi Kote duke shtuar se e njëjta gjë është edhe me gripin, që kanë sëmundje bashkëshoqëruese edhe gripi është fatal.
Nga viti në vit, vijon Kotem numri i vaksinimeve për antigripin është rritur. “Kjo tregon që sensibilizimi i njerëzve dhe nga ana jonë, i grupit të promocionit që ne kemi dhe punës së palodhur të stafit tonë mjekësor tregon që kjo pjesë shkon mirë. Kërkesa kemi edhe për këtë vit për vaksinën antigrip. Mendoj se do të aplikohet shumë mirë ashtu si herët e tjera”, tha ajo.
Mjekja Ursina Hajdini tha se “vaksinimi kundër gripit sezonal është i rëndësishëm, fillimisht për të mbrojtur veten nga komplikacionet e mundshme që mund të japë infeksioni ndaj gripit sezonal, së dyti për mua si mjeke është i shumë i rëndësishëm për të ulur transmetimin dhe riskun për ta transmetuar tek pacientët”.
“Për mua dhe kolegët duke qenë më të ekspozuar në vendin e punës, për stafin është i rëndësishëm për të shmangur komplikacionet nga një infeksion i mundshëm ndaj virusit të gripit duke qenë se jemi cdo ditë të ekspozuar dhe të rriskuar në vendin e punës më shumë se disa kategori të tjera”, tha Hajdini.
Por, vijon, ajo, është e rëndësishëm të mos e transmetojmë atë edhe tek pacientët duke qenë se kemi të bëjmë çdo ditë në punën tonë me kategori pacientësh vulnerabël apo kategori pacientësh që janë më në rrisk, por që ne i kemi më në prioritet për ti vaksinuar që janë mosha mbi 65 vjeç.
Mjekja Hajdini shprehet se për fat të mirë mund të bëhen të dyja vaksinat, mund të administrohen brenda një kohe të shkurtër, si vaksina ndaj Covid-it dhe ajo ndaj gripit.
Një e moshuar shprehet se “vaksina është e rëndësishme se na ka mbrojtur gjithë dimrin e kaluar, asnjë grip dhe virozë nuk na ka zënë. Vaksina kundër gripit sezonal është se mbron organizmin nga viruset. Ne e kemi bërë çdo vit dhe sivjet që ndodhi pandemia, nuk e kemi kaluar COVID-19. Jap mesazhin që të vijnë ta bëjnë vaksinën”.
“Erdhëm bëmë vaksinën menjëherë, personeli na priti shumë mirë këshilloj miq, shokë dhe të gjithë njerëzit të vijnë ta bëjnë vaksinën për të mirën e tyre. Çdo lloj vaksine është e nevojshme, por vaksina kundër gripit sezonal duhet bërë patjetër”, – tha një tjetër i moshuar.
Një vajzë e re thotë se “duke u vaksinuar ne jemi më të mbrojtur dhe kemi shanse më shumë për tu përballur me viruset dhe çfarëdo lloj gjëje. Ne shkenca na ofron mundësinë për të qenë të mbrojtur dhe për të shijuar më mirë dhe më gjatë jetën”.
Përfaqësuesi i OBSH-së në Shqipëri, Dr. Gerald Rochenschaub thekson se “është shumë e rëndësishme që punonjësit e shëndetësisë të vaksinohen sepse, nëse infektohen, ata mund të infektojnë pacientët, të cilët janë shumë vulnerabël. Pra, është shumë e rëndësishme që ne të mbrojmë punonjësit e shëndetësisë në mënyrë që ata të mund të mbrojnë pacientët “në spital”.
“Ne kemi një program shumë të fuqishëm imunizimi këtu në Shqipëri dhe kjo është një bazë shumë solide mbështetjeje. Punonjësit e shëndetësisë kanë pasur historikisht një përdorim shumë madh të vaksinimit kundër gripit. Mjetet për të mbrojtur veten janë masat e shëndetit publik si mbajtja e maskave, mbajtja e distancës dhe shmangia e tubimeve masive. Ne kemi në dispozicion një vaksinë efektive si kundër COVID-19 ashtu edhe kundër gripit”, tha Rochenschaub.