Nga Mero Baze/ Ka dhjetëra komente që vazhdojnë akoma rreth asaj nëse Lulzim Basha është takuar me Taulant Ballën dhe Erion Veliaj në një darkë ngushëllimi në Tiranë. Ka përgënjeshtrime nga Lulzim Basha dhe Taulant Balla për këtë çështje, a thua se janë kapur duke vjedhur apo duke vrarë. Ka një zemërim të shtirur të njerëzve që duan të besojnë Berishën dhe akoma më të egër të atyre që nuk duan ta besojnë për këtë çështje.

Arsyeja është shumë më e rëndë se sa ngjarja e sajuar. Gjëma këtu nuk është pse mund të jenë takuar Basha, Balla apo Veliaj në një darkë, por fakti që kjo konsiderohet ngjarje e rëndë në qytet. Në të vërtetë, ngjarje e rëndë në qytet dhe në shoqërinë tonë, duhet të konsiderohet fakti që politikanët tanë nuk takohen me njëri- tjetrin, por përdorin gjuhë toksike dhe vetë karikohen si armiq të njëri- tjetrit, pa qenë të tillë.

Në rastin konkret është më i shëmtuar fakti që Basha apo Balla, përgënjeshtrojnë me një vendosmëri të fortë që nuk janë takuar, se sa nëse do ishin takuar.

D.m.th në subkoshiencën e tyre, edhe ata janë infektuar nga berishizmi dhe e konsiderojnë njësoj si Berisha “tradhti të rëndë” takimin me njëri- tjetrin dhe aq më keq prezencën në të njëjtin vend për një ngushëllim.

Dhe kjo tregon se në çfarë spirale e ka futur berishizmi politikën shqiptare dhe mu ku i ka çuar punët gjuha e urrejtjes që përdoret në politikën tonë.

Lajm i vërtetë, madje i hdihur, është që këta tre politikanë kanë qenë në një vend dhe nuk kanë folur me njëri -tjetrin. Ky është lajmi që duhet të na shqetësojë, jo halli i Sali Beirshës që këta paskan qenë bashkë, paskan bërë dhe komplote së bashku, e pastaj kanë publikuar listën e pagave për të zhurmuar foltoren dhe broçkulla të tjera.

Fakti që nuk janë takuar dhe që nxitojnë ta thonë këtë me vendosmëri si një shenjë mospërlyerje, tregon se ata janë infektur nga standartet e enverizmit tonë të ri, që është berishizmi.

Fakti që dhe një pjesë e shoqërisë mbeti e tronditur ngaqë besoi Berishën se ata janë takuar, është shenjë e keqe. Por akoma më e keqe, pjesa tjetër më e madhe e shoqërisë që u qetësua ngaqë nuk janë takuar. Kjo tregon se ku na ka çuar shkolla politike e Sali Berishës.