Nga Mero Baze/ Shumë studiues të huaj, muzikologë, historianë apo dhe studiues të shkencave sociale, kur përpiqen të njohin një vend, zgjedhin shpesh muzikën për të njohur shpirtin e një populli, por dhe për të njohur kulturën dhe historinë e tij. E bëjnë këtë me muzikën foklorike, muzikën e lehtë, apo dhe atë klasike, që prodhon ai vend.

Shumë të tillë kanë njohur Shqipërinë përmes polifonisë së Jugut, baladave të Veriut, por dhe përmes përpjekjeve për një muzikë klasike në Shqipërinë e shekulllit të shkuar. Baladat shqiptare kanë zëvendësuar kronikat e kohës, ndërsa muzika e tyre ka qenë fuqia që i ka mbajtur gjallë ato.

Përfytyroni tani një studiues të tillë të arrijë të kuptojë Shqipërinë e viteve 20 të shekullit 21 përmes këngëve, qofshin ato dhe fituese në festivale këngësh apo dhe produkte tregtare mbi mbishkrimin “këngë”, që shfaqen gjithandej si zhurma imponuese për veshët e një shoqërie që nuk ka fuqi të dëgjojë më asgjë.

Shqipëria e këtyre viteve është një shkretëtirë vlerash, ku muzika është një bashkim tingujsh që shoqëron performancën e atij që quhet këngëtar/e, dhe jo një kombinim notash muzikore që e bëjnë këngëtarin/en, të performojë atë që ndjen nga muzika.

Nuk bëhet më fjalë për tekste, por as për muzikë dhe as për zë. Bëhet fjalë për imponim antivlerash përmes spektakleve. Nëse në baladat e Labërisë ti gjen poezi të mëdha antologjike të krijuar nga njerëz anonimë, që të mahnisin me figuracionin dhe fuqinë e fjalës, nëse në baladat e veriut ti gjen një rrëfim elitar të historisë përmes një gjuhe tejet të pasur, në tekstet e këngëve të sotme shqiptarë gjen pasthirma që imitojnë zhurmat, zhargon rrugësh dhe fjali antikapatësh.

Festivali i fundit, i cili nuk është fatkeqësisht i fundit, por pjesë e dekadës së fundit, ishte një i tillë. Nuk është ndonjë dramë e madhe që nuk kemi më kompozitorë. Tregu i hapur i ka shpërndarë ata dhe i ka larguar nga vendi. Muzika jonë lokale nuk është më një biznes fitmiruprës për ta.

Nuk është dramë e madhe që nuk kemi më as krijues tekstesh, pasi ata në fakt duhet t’i përzgjedhin kompozitorët dhe kompozitorët e vërtetë kanë në dispozicion me qindra mijëra poezi të bukura, të shkruara nga poetët për të krijuar një këngë.

Mikis Thedorakis, kompozitari më i shquar grek i kësaj epoke, ka treguar një herë në rrëfimet e tij se ai gjithë jetën kishte kompozuar dy fletore me poezi të një bariu nga Kreta, që e kishte takuar në rininë e tij, i cili ja kishte dorëzuar ato për t’i lexuar.

Por drama më e madhe është se ne nuk kemi më as njerëz që t’i ndalin këto antivlera. Ardit Gjebeea është kantautori ynë më i mirë i këtyre tridhjetë viteve. Ai ka qenë një sqimtar i rrallë tekstesh, duke bërë autorë këngësh disa herë dhe Dritero Agollin. Por dhe tekstet e dedikuara për këngët e veta, i ka pasur balada të spikatura. Ai është një këngëtar i mirë dhe një krijues po aq i mirë.

Ndaj mendoj se ai e kishte një detyrë së paku në festivalin e djeshëm. Ai mund të hynte në histori, sikur ta kishte lënë festivalin pa çmim. Ky do të ishte çmimi më i mirë që mund të merrte një artist, të cilit i dhimbset rrokullima në të cilën janë nisur të thyejnë qafën vlerat e muzikës shqiptare.

Një festival pa çmim, do të ishte një ngjarje kulturore për Shqipërinë. Dhe të gjithë do ta kujtonim, se në vitin 2021, kushedi për çfarë arsyesh, Shqipëria nuk pati mundësi të kishte një kompozitor të mirë, një poet të mirë dhe pastaj një këngëtar të hajrit, që të këndonte një këngë, dhe nuk prodhoi asnjë këngë.

Kështu dhe ata që do të përpiqen në të ardhmen të njohin shoqërinë tonë përmes muzikës, do të ishin më të qartë. Nëse dëgjojnë këtë këngën fituese, por dhe të tjerat po aq vulgare si ajo, me siguri që ata do mendojnë se në vitin 2021, Shqipëria është pushtuar nga hordhi arabe dhe ata kanë nxjerrë në skenë ca njerëz me zor për të kënduar, të cilët në vend të muzikës, lëshojnë britma dhe imitojnë muzikën e tyre.

Do të ishte vërtet një keqkuptim i madh. Ndërsa një festival pa çmim, do të ishte një ndihmë e madhe. Ka plot kombe që kanë vitin e tyre të errët në shumë fusha. Nuk do ishte fundi i botës, ta quanim 2021 një vit të tillë për muzikën. Do të ishte më e lehtë se sa të quash muzikë, atë që dëgjon në festival.