Gjermania mbështet nismat për bashkëpunim rajonal dhe formimin e një tregu të përbashkët me 4 liritë e mëdha të lëvizjes. Mesazhi është dhënë në Tiranë nga ministrja gjermane për Europën, Anna Luhrmann.
Pas takimit që zhvilloi me zv. Kryeministrin Ahmetaj ajo u shpreh se Procesi i Berlinit mbetet i një prioriteti të madh edhe për Qeverinë e re të Gjermanisë.
“Ne mbështesim nismat e bashkëpunimit të krerëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Këtu të përfshihen të gjashta vendet dhe nismat duhet të jenë gjithëpërfshirëse. Duhet të ngrihet tregu i përbashkët rajonal. 4 liritë e mëdha, e lëvizjes së mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit, janë thelbësore për zhvillimin e rajonit”, tha ajo.
Ministrja lavdëroi avancimin e Shqipërisë për reformat.
“Për mua është e rëndësishme të dërgoja një mesazh këtu në Shqipëri, ndaj dëshiroj të bëj të qartë se Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor kanë një perspektivë të qartë drejt Bashkimit Evropian. Në bashkëpunojmë ngushtësisht në shumë sektorë. Pikërisht këtë vit kur Shqipëria ulet për herë të parë në Këshillin e Sigurimit të OKB ne gëzohemi që do të mund të mbështetemi te Shqipëria si partner i besueshëm. Shqipëria ka bërë hapa para edhe në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar. Kjo meriton një lavdërim të madh. Në këtë rrugë do të duhet të vijohet më tej me vendosmërinë. Dhe këtu janë të nevojshëm si Qeveria dhe opozita, hapat pas do ta dëmtonin procesin”, tha ajo.