Kosova duhet të përfshihet te nisma e ‘Ballkanit të Hapur’, pasi kjo është thelbësore për Gjermaninë. Ky është opinion zyrtar i shtetit gjerman, shprehur përmes ministres gjermane të shtetit për Evropën dhe Klimën, Anna Lührmann, në një intervistë për Deutsche Welle.
‘E kuptoj se ekziston një dëshirë e madhe për të bashkëpunuar në rajon. Në të njëjtën kohë, iniciativat që duan të forcojnë bashkëpunimin rajonal duhet të jenë vërtet gjithëpërfshirëse, që do të thotë se duhet të përfshihen edhe vende si Kosova. Kjo është thelbësore për ne. Instrumentet e procesit të Berlinit janë shumë të përshtatshme për këtë. Në Sofje ishte arritur një marrëveshje për një treg të përbashkët rajonal. Kjo marrëveshje tani më në fund duhet të zbatohet’, u shpreh ministrja gjermane.
Pyetja e tjetër e drejtueses së departamentit të Evropës në Deutsche Welle lidhej edhe me vizitën e presidentit turk, ku Rama pati theksuar se ai e mban fjalën, duke lënë të kuptohet të kundërtën për Bashkimin Europian.
‘Është shumë e rëndësishme për mua që ne si Bashkim Evropian të mbajmë premtimin ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Prandaj duhet të hapen sa më parë negociatat e anëtarësimit. Ne po bëjmë maksimumin për të mënjanuar pengesat e fundit. Jam shumë e sigurt se së shpejti do të kemi përparime. Si Shqipëria ashtu edhe Maqedonia e Veriut, kanë bërë përparim të madh, sidomos në fushën e reformës në drejtësi.
Në Shqipëri është vërtet e rëndësishme që të ecet përpara me procesin e vettingut për çka nevojitet edhe ndihma e opozitës. Për këtë çështje biseduam, por në përgjithësi, e urova Shqipërinë edhe për vendosmërinë, me të cilën ajo ka zbatuar reformat në vitet e fundit’. Ndërkaq, ministrja gjermane foli edhe për aspekte të tjera të marrëdhënies së shtetit që ajo përfaqëson me Shqipërinë, ku theksoi se do të ketë mbështetje, sidomos përsa i përket energjetikës.