Nisur nga shqetësimet dhe parregullsitë e konstatuara në raport me mënyrën e qëndrimit dhe pushimit të mjeteve, kryesisht në stacionet e rezervuara për mjetet e transportit publik, autobus dhe taxi, si dhe parkimet në rresht të dytë, rrugoret e kryeqytetit kanë shtuar kontrollet.
Kontrolle të imtësishme janë kryer edhe ndaj mjeteve me targa të shteteve të tjera, që u ka kaluar afati i përdorimit, apo targa që nuk u përkasin mjeteve, të cilat janë sekuestruar nga shërbimet e Policisë Rrugore.
Gjithashtu, në të gjitha rrugët e kryeqytetit dhe rrugët interurbane që lidhen me Tiranën, janë shtuar monitorimet duke përdorur radarët, dragerat, kamerat e aparatë fotografikë, me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve që abuzojnë, duke drejtuar mjetin me shpejtësi tej normave të lejuara, që bëjnë gara shpejtësie, kryejnë parakalime të gabuara, që drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, që përdorin celularin dhe nuk vendosin rripin e sigurimit gjatë drejtimit të automjetit, apo kaskën mbrojtëse për drejtuesit e motomjeteve.
?Në funksion të kontrolleve parandaluese për gjatë kësaj jave janë arrestuar 19 drejtues mjetesh për drejtim mjeti në gjendje të dehur, pa leje drejtimi apo për drejtim mjeti në mënyrë të parregult, duke shkaktuar aksident me pasoja për jetën, janë proceduar dy persona për kallëzim të rremë, si dhe janë kapur dy persona të shpallur në kërkim nga Policia Rrugore e Tiranës.
? Janë pezulluar 172 leje drejtimi, të ndara sipas shkeljeve:
21 raste për shkelje për drejtimin e mjetit nën ndikimin e alkoolit, 123 raste për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 28 raste për shkelje të tjera të Kodit Rrugor, që parashikohen me sanksion plotësues e pezullim të lejes së drejtimit.
? Janë hequr dhe sekuestruar nga Policia Rrugore e Tiranës 31 targa, të cilave u kishte skaduar afati apo që nuk i takonin mjetit në të cilin ishin vendosur.
? Janë ndëshkuar për gara shpejtësie 28 drejtues mjetesh, të cilët janë konstatuar nga grupet e kontrollit, me mjete të paloguara.
?Janë vendosur 5032 masa administrative, me një mesatare 719 masa të vendosura në ditë, të ndara sipas shkeljeve:
21 masa për drejtim mjeti nën ndikimin e pijeve alkoolike, 123 masa për shpejtësi tej normave të lejuara/ gara shpejtësie, 205 masa për parakalime të gabuara, 364 masa për përdorim të aparatit të celularit, 355 masa për mos vendosjen e rripit të sigurimit, 89 masa për mos vendosjen e kaskës mbrojtëse, 2207 masa për qëndrime të gabuara, 40 masa administrative për siguracion, 1478 masa të ndryshme .
?Janë tërhequr 57 leje qarkullimi për mospagim detyrimesh dhe janë bllokuar 15 mjete nga të cilat:
9 mjete për moslikuidimin e gjobave, 6 mjete me targa të huaja dhe mjete luksi, të cilat janë shoqëruar në ambjentet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, për verifikim nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.
?Janë tërhequr 16 targa te huaja, të cilat nuk i përkasin mjetit, ose janë të çregjistruara në vendet e origjinës.
Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital apo në 112, çdo shkelje të Kodit Rrugor, duke ju garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.