Sot heshtje zgjedhore! Pas 2 javëve fushatë, e përmbyllur një mbrëmje më parë, e shtuna shënon heshtje zgjedhore për të gjitha palët politike, që garojnë këtë 6 mars për 6 bashkitë me kryetar të komanduar.

654,538 shtetas shqiptarë me të drejtë vote do i drejtohen kutive të votimit më 6 mars për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive Vorë, Rrogozhinë, Lushnjë, Shkodër, Dibër dhe Durrës mes kandidatëve të PS, PD e koalicionit ‘Shtëpia e Lirisë’, të cilët do të kenë një mandat 1-vjeçar. Janë 10,134 zgjedhës që votojnë për herë të parë, ndërsa 135 shtetas nuk janë përfshirë në lista për shkak të dekriminalizimit. Në të 6 bashkitë do të jenë 941 qendra votimit që do të jenë të hapura nga ora 07:00-19:00.

Në të gjitha qendrat e votimit do të jetë identifikimi elektronik, ndërsa në Vorë votimi dhe numërimi do të jetë elektronik ku rezultati do të bëhet me dije menjëherë pas zgjedhjeve. Për pesë bashkitë e tjera, rezultati pritet të dalë brenda 48 orëve. Zgjedhjet e pjesshme vendore u dekretuan nga Presidenti Meta më 20 janar të këtij viti për shkak të vakancave të krijuara nga dekriminalizimi apo dorëheqjet.