Në Kongresin e Partisë Socialiste, Kryeministri Rama theksoi edhe një herë krenarinë që ndjen si socialist, për atë që partia në qeverisje ka bërë në përballimin e tërmetit: “Unë jam krenar sot për historinë që kjo parti, Partia Soacialiste e Shqipërisë, si forcë qeverisëse ka shkruar përgjithmonë, me ringritjen e fuqishme nga gërmadhat e tërmetit dhe mbi të gjitha jam shumë krenar si socialist për faqen më të bukur të kësaj historie, shtëpitë falas. Shtëpitë falas për të gjithë të dëmtuarit, që asnjë vend tjetër, edhe më i pasur se ne nuk e ka bërë”.

Shumë thonë “detyrën ke bërë, nuk ke përse të jesh krenar, por detyrën bën çdo qeveri, edhe ata që vrasin në Bulevard”, tha Rama.

“Kemi hyrë në këtë mandat të tretë më të fortë, sepse 50 mijë familje shqiptarë që ishin më të varfër janë sot më të fortë, por edhe sepse Shqipëria sot është shumë më e aftë dhe më e gatshme në përkujdesjen për shëndetin e të gjithëve”, tha Kryeministri.

“Kjo falë edhe procesit të rindërtimit, prandaj ky 4 vjeçar është koha e duhur për të hedhur themelet e një procesi të ri shoqëror, duke e kthyer tani modelin e rindërtimit në model të ndërtimin në masë të shtëpive sociale, për ata që nuk kanë mundësi, për ata që janë më të varfër apo janë të rinj dhe martohen dhe me të drejtë duan të kenë shtëpinë e vet” shtoi ai.