Javanews
Home Kryesoret
Shefi i BE-së do të merret personalisht me Kurtin e Vuçiçin më 18 gusht/ Borrell konfirmon ftesat
06/08/2022 12:35
Shefi i BE-së do të merret personalisht me Kurtin e Vuçiçin më 18 gusht/ Borrell konfirmon ftesat
Kosova dhe Serbia pritet të rifillojnë bisedimet në fund të gushtit. Kryeministri Kurti dhe Presidenti Vuҫiç, pas tensioneve të fundit në veri të Kosovës, janë ftuar në Bruksel nga shefi i diplomacisë evropiane Borrel.
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka njoftuar se ka ftuar Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për një takim më 18 gusht në Bruksel.
Në këtë takim, ndërmjetësues do të jetë vetë Borrell.
“Kam ftuar Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin më 18 gusht në Bruksel, për të diskutuar rrugën përpara ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, ka shkruar Borrell.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se edhe institucionet e BE-së, por edhe shtetet anëtare, po vëzhgojnë “me shqetësim” ngjarjet në Kosovë.
“Çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm që kërcënon stabilitetin dhe rrezikon lirinë e lëvizjes duhet të ndërpritet”, tha Stano.