Kryeministri Edi Rama në ceremoninë e organizuar në nderim të kampiones së Europës Luiza Gega, tha se titulli që mori atletja të lë pa fjalë.
Ndërkohë ai mes humorit tha se nuk ndodh shpesh që Shqipëria të lërë pas Gjermaninë, pasi Gega mundi një atlete gjermane.
“E dashur Luiza e fort admiruar, kampionë, tani më edhe e Europës, është krenari dhe privilegj i veçantë që të kemi sot këtu mes nesh. Në një përpjekje për të thënë faleminderit, jo doemos me fjalët e nevojshme. Kjo arritje të lë pa fjalë. Po të paktën me të gjithë ceremonialin që ofron shteti. Më vjen mirë që rastësia e deshi që sot të prezantohesha dhe me ambasadoren e re të BE në Shqipëri, të cilës i kërkova që të qëndrojë pas takimit për të kremtuar një kampione europane që mundi një gjermane. Nuk na ndodh shpesh që të lëmë pas Gjermaninë. Para ca kohësh dikush thoshte jemi të dytët pas Gjermanisë. Por sot këtu në këtë sallë, Gjermania është e dyta pas Shqipërisë”, tha Rama.