Drejtori i Ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku u betua sot gjatë ceremonisë për marrjen e detyrës.

“Në këtë çast solemn, në respekt të brezave, në shenjë nderimi, të rënëve në krye të detyrës, të vendosur për të zbatuar ligjin, betohem për të mbajtur me nder Flamurin e Policisë së Shtetit”, u shpreh Rrumbullaku.

“Policia e re ka nevojë për një frymë të re, që e sjell gjenerata e re e Policisë së Shtetit. Policia mbart kapacitete njerëzore dhe intelektuale, mjafton që këta të ruhen e të promovohen në bazë të mertitokracisë. Çdo punonjës duhet të jetë komod, për këtë kemi për të zhbërë çdo pabarazi. Menaxhimi i burimeve njerëzore do të jetë kryefjala, në zbatim të ligjit. Nuk ka vend për persona pa integritet. Personeli do të edukohet në mënyrë të vazhdueshme”, shtoi ai.