Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka bërë me dije se po bëjnë diskutime me drejtorin e Burgjeve për të bërë amnisti penale në fundvit, por ende nuk ka një vendim.
“Jemi në fazë diskutimesh për amnisti penale”. Kështu bëri me dije Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave duke thënë se ende nuk ka një vendim, por po diskutojnë me Drejtorinë e Burgjeve. Amnistia Penale është traditë e çdo fundviti që merr qeveria dhe i përket vitit 2020.

“Është traditë çdo fund viti qeveria merr iniciativë për të patur aministi penale. Aministia e fundit është bërë në 2020. Ne si ministri e drejtësisë me Drejtorinë e Burgjeve jemi në fazën e studimit dhe në momentin që kemi një studim dhe analizë do të bëjmë me dije opinionit publik. Po punojmë për të patur aministinë penale por jemi në fazën e studimit dhe analizës”, tha Manja.
Ndërkohë, në mbledhjen e ditës së sotme janë miratuar 2 akte që vijnë si propozim i Ministrisë së Drejtësisë. Akti i parë është ai i dëmshpërblimit financiar për 54 ish-të përndjekurit politik, të cilët do të marrin masën me këste. Akti i dytë është projektligji për shërbimin përmbarimor shtetëror. Manja tha se do t’i japë zgjidhje problematikave që janë hasur me këtë shërbim.