Nga Oboti ku inspektoi situatën e krijuar nga moti i keq, prefektja e Shkodrës Majlinda Angoni tha se deri më tani situata është e menaxhueshme dhe se të gjitha ekipet e emergjencave janë në gatishmëri të plotë. Sa i përket rrugëve të bllokuara nga bora, problem paraqet vetëm Qafë Thore-Bogë.

Sa i përket rrugëve të tjera, Angoni tha se janë të aksesueshme. Në rrugën e Obotit ka prezencë të lartë të ujit dhe është e kalueshme vetëm me mjete te larta. Problematikë mbetet gjithashtu dhe furnizimi me energji elektrike në disa zona të Shkodrës, për të cilën ajo tha se po punohet.

“Situatë e menaxhueshme. Është ulur dhe niveli i shkarkimeve nga 900 që ishte dje. Sot është 500 m3. Është një gjë normale. Kemi rritje të nivelit të Bunës, liqenit të Shkodrës që ka impaktuar edhe këtu ku ndodhemi sot. Jemi në pikën kyce. Jemi në menaxhim. Po vjen një kamion me forcat ushtrisë për të menaxhuar këtë rrugë.

Kemi një situatë të vështirë pasi ka dhe reshje të dendura dëbore. Rrugët janë të zhbllokuara. Lëvizet me vështirësi nga Tamara në Vermosh, edhe nga Boga deri në Qafë Thore. Kemi rënie ortekësh përtej tuneleve. Rruga Qafë Thore-Bogë është e bllokuar për momentin. Të gjitha rrugët e tjera janë të aksesueshme.

Përveç rrugëve nga Tamara-Vermosh që këshillohet të bëhen me zinxhirë. Po merren masat nga të gjithë firmat kontrakore. Shtabet e emergjencave janë në gatishmëri të plotë.”, ka thënë ajo.