Bashkimi Europian duket se po ndjek të njëjtën linjë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar dhe po shqyrton mundësinë për të marrë sanksione për politikanët apo individët e përfshirë në korrupsion madhor apo minimin të demokracisë. Ka qenë Presidentja e Komsionit Europian, Ursula Von der Leyen e cila ka propozuar futjen e ‘non gratës’ gjatë fjalimin e saj për gjendjen e Bashkimit Europian për vitin 2022.
Në dokumentin e publikuar nga Parlamenti Europian thuhet se korrupsioni i zyrtarëve të qeverisë sjell dëme në demokracinë, në sundimin e ligjit apo të drejtat e njeriut dhe prandaj po shqyrtohet mundësia për të marrë sanksione ndaj të gjithë atyre personave që cenojnë demokracinë.
Nëse Bashkimi Europian do të miratojë vendosjen e non gratave, duket se ish-kryeministri Sali Berisha do të izolohet edhe më shumë, pasi mund ta presë sërish i njëjti fat. Ai mund të shpallet non grata edhe nga Bashkimi Europian, pasi Britania e Madhe dhe SHBA e kanë futur atë në listën e zezë. SHBA me argumentin se ka minuar demokracinë dhe për korrupsion.
Non gratën e Berishës nga Bashkimi Europian e ka paralajmëruar disa herë kreu i Grupit të PS, Taulant Balla, i cili thotë me këmbëngulje se së shpejti edhe BE do ta fusë Berishën në listën e zezë. Në daljen e tij të fundit, Balla tha se BE ka nisur procesin për ta shpallur ‘Non Grata’ Berishën.
“Korrupsioni, dhe veçanërisht korrupsioni i madh në lidhje me zyrtarët e qeverisë, ka një efekt të dëmshëm mbi demokracinë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut. Korrupsioni në vendet e treta gjithashtu mund të ndikojë në funksionimin e demokracisë së BE-së me flukse parash që blejnë ndikim politik në BE. Në fjalimin e saj për gjendjen e Bashkimit në vitin 2022, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, propozoi përfshirjen e korrupsionit në regjimin e sanksioneve të BE-së për të drejtat e njeriut. Komisioni nuk mundet megjithatë, të inicojë vetë legjislacionin përkatës”, shkruhet në dokument.
(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)