Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka dhënë sot lajmin se ndryshe nga sa ishte planifikuar rritja e pagave për pedagogët nis që këtë vit, në muajin Prill.

Deklarata:

Përshëndetje të gjithëve,
Sot në këtë ditë feste për të gjithë besimtarët myslimanë, dua të ndaj me ju një lajm shumë të bukur për arsimin e lartë.

Dje, pas mbledhjes se qeverisë, përpara zbardhjes së vendimeve, kemi patur një diskutim të gjatë veçanërisht për pagat e pedagogëve, dhe arritëm të mundësojmë që rritja që fillimisht e kishim planifikuar për vitin e ardhshëm, të realizohet që këtë vit dhe efektet e saj të fillojnë menjëherë që në datën 1 prill.

Pra, që në datën 1 prill 2023, kufiri minimal i pagave të pedagogëve është rritur me 20%, dhe që mbulohet drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit, ndërsa kufiri maksimal i pagës është rritur deri në 30%, që do të thotë që përtej rritjes nga buxheti i shtetit me 20%, universitetet në varësi të të ardhurave të tyre mund ta rrisin më tej kufirin maksimal të pagave deri në 30%.
Me këtë vendim ne konfirmojmë edhe një herë angazhimin tonë për mbështetjen e vazhdueshme të pedagogëve, mbështetje e cila nisi që vitin e kaluar, me rritjen 15% të pagës në muajin shtator.

Kam shumë besim që reformat që kemi ndërmarrë në arsimin e lartë, procesi i ndërkombëtarizimit, rritja e buxhetit për arsimim dhe rritja e vazhdueshme e pagave të pedagogëve do të reflektohet në rritjen e cilësisë në universitetet tona dhe rritjen e interesit të të rinjve tanë për studiuar e jetuar në Shqipëri.
Gëzuar Bajramin!