Kristoffer Leandoer, poet, shkrimtar, përkthyes dhe gjithashtu ish- anëtar i jurisë së çmimit Nobel në letërsi, ishte i ftuari i radhës në podkastin “Flasim” të kryeministrit Edi Rama.

Si bashkëshorti i ambasadores së Suedisë në Tiranë, Elsa Hastad, ai ka jetuar së fundi në Shqipëri, ku ka shkruar edhe disa poezi të inspiruara nga vendi ynë.

Kryeministri e prezantoi Leandoer si një personazh atipik, për faktin se është krejt i panjohur në Shqipëri.

“Është atipik për faktin se jemi mësuar të flasim me ambasadorë, për amabasdorë, ndërkohë që personazhi që është me mua është burri i një ambasadoreje. Arsyeja e ftesës është sepse ‘bashkëvuajtësi’ i ambasadores suedeze është një shkrimtar, njohës i thellë i letrave dhe një autor i cili gjatë qëndrimit këtu ka shkruar edhe poezi që janë të inspiruara nga Shqipëria”, u shpreh Rama, gjatë prezantimit të tij.

Pyetjes se si është të largohesh nga Shqipëria, Leandoer iu përgjigj se ky është i vetmi vend për të cilin më ka marrë malli që tani.

“Unë krenohem se nuk shoh kurrë pas. Krenohem me veten se nuk jam absolutisht nostalgjik dhe asfare sentimental. Krenohem me veten se jetoj në të tashmen, por për të qenë i sinqertë mund të them se ky është vendi i parë nga i cili largohemi për të cilin qysh tani e di që do të më marrë malli”, u shpreh ai.

Ai u shpreh se gjërat më të mira të Shqipërisë janë shqiptarët.

“Ajo që do të marr me vete kur të kthehem në shtëpi është se gjërat më të mira të Shqipërisë janë absolutisht, pa asnjë hezitim shqiptarët. Nuk ka diskutim. Malet janë fantastike, ushqimi është i shkëlqyer, vreshtat, deti, zogjtë e të tjera, por për mua janë shqiptarët. Shumë shpesh kjo i befason shqiptarët. Ju jeni njerëz të ngrohtë, njerëz që doni të argëtoheni, jeni të zgjuar dhe të rrish me ju është argëtuese”, tha ai.

Pyetjes se çfarë nuk i pëlqen nga Shqipëria, ai iu përgjigj se problemi më i madh në shoqërinë shqiptare tani është mungesa e besimit në të gjitha nivelet.

“Jeni njerëz me zemër të ngrohtë, se jeni miqësorë dhe e është e lehtë të rrish me ju, por më krijohet përshtypja se jeni më miqësorë me të huajt dhe që unë shoh anën më të bukur dhe se nuk jeni aq miqësorë me njëri-tjetrin dhe kjo nuk më pëlqen. Po ashtu, mendoj se problemi më i madh në shoqërinë shqiptare tani është mungesa e besimit në të gjitha nivelet, midis individëve, midis pjesëve të shoqërisë, nga individët tek institucionet dhe te shoqëria, ndoshta edhe nga institucionet tek individët. Këtë mund ta shohësh në jetën e përditshme, në trafik, ku njerëzit i besojnë vetes. “Jam shofer i mirë, kam të drejtën e kalimit”. Po nuk u besojnë aq shumë rregullave. Rregullat janë vetëm për… Kjo, mendoj, është një pengesë e madhe dhe mungesa e besimit, kjo është ajo që nuk më pëlqen më shumë. E dyta që nuk më pëlqen më shumë, sigurisht, është pakujdesia me mjedisin, në shkallë të vogël, me hedhjen e plehrave dhe paksa edhe në shkallë të gjerë”, shtoi ai.