Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja në një deklaratë për mediat ka treguar se lajmi i mirë nga mbledhja e kabinetit qeveritar është vendosur masa e kompensimit financiar për 9 subjekte përfituese ish të dënuarish politik nga regjimi komunist.

Ministri Manja thekson se është pjesë e vizionit të qeverisë vendosja e të drejtës për ish të dënuarit e regjimit.

Sakaq, shton se do të përgatitet në kohën e duhur dhe një shtyrje e afateve për dorëzimin e dosjeve.

Ulsi Manja: Kam një lajm të mirë sot për 9 subjekte përfituese ish të dënuarish politik, për të cilët qeveria ka miratuar masën e kompensimit financiar. Natyrisht është vendim i Ministrisë së Drejtësisë. Është vendimi i 30 që merr qeveria për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politik të regjimit komunist. Është pjesë e vizionit të qeverisë sonë për të garantuar deri në fund të drejtat e ish të dënuarve. Nga 9 subjekte që përfitojnë sot, 7 janë ish të dënuar me burgime të gjata ndërsa 2 subjekte janë me dënime kapitale. Është përcaktuar masa e kompensimit financiar. Është diskutuar dhe problematika e disa dosjeve që janë dorëzuar jashtë afateve të përcaktuara nga ligji. Në momentin dhe kohën e duhur do të marrim iniciativën ligjore për të ndryshuar ligjin duke ndryshuar afatin.