Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe homologia italiane Giorgia Meloni janë filmuar pasditen e sotme në një nga lokalet e jugut. Siç duket në video, dy zyrtarët janë në shoqërinë e dy personave tjerë, ku po shijojnë kafen e pasdites pranë bregdetit.

Mësohet se Meloni ndërpreu pushimet e saj në një fermë në zonën e Puglias dhe u nis nga Brindizi me një traget linje drejt Vlorës tre ditë më parë, bashkë me bashkëshortin Andrea Giambruno, vajzën Ginevra dhe motrën e saj Arianna e bashkëshortin Francesco Lollobrigida.

Prej muajsh Shqipëria po përballet me bum turistësh nga e gjithë bota, përfshi edhe italianët, të cilët tërhiqen nga vendet magjepsëse dhe çmimet e lira. Kujtojmë se edhe ish-kryeministri britanik, Tony Blair ndodhet në Shqipëri. Ai mbërriti në Himarë me helikopter mbrëmjen e së dielës.