Berati do të mirëpresë në 13-15 tetor festën e verës, një aktivitet që promovon kulinarinë dhe traditat e qytetit të “një mbi një dritareve”.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ftoi sot vizitorët të bëhen pjesë e këtij aktiviteti, të cilin e cilësoi “një udhëtim shijeje dhe historie”.
“Në ‘Wine and Stories of Berat’, qytetit që siç i shijon vera, i ka lezet edhe dora e amvisave që ruajnë e përcjellin vit pas viti traditat më të bukura të tij”, shkruan Kumbaro.
Në datat 13-15 tetor, Berati do të jetë më shumë se një destinacion duke u kthyer në një përvojë, ku kultura, vera, kulinaria dhe muzika janë të gjitha në ‘menu’ për t’u shijuar.
Festat lokale konsiderohen si mënyrë për të promovuar traditën dhe natyrën shqiptare dhe po organizohen në qytete të ndryshme të vendit.