Dy akuza për vepra penale janë ngritur ndaj kryetarit aktual të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në lidhje me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

Mësohet se në aktakuzë thuhet se në seancën e Kuvendit të Kosovës të datës 10 gusht 2016, në cilësi të deputetit, Glauk Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës në sallë, dhe është pamundësuar qëndrimi në sallë.

Për këto veprime, Konjufca akuzohet për dy vepra penale “Përdorim i armës” dhe “Pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”.

Mirëpo, në seancën e së mërkurës (25 tetor), në gjykimin ndaj tij, gjykatësja e rastit Edita Çanta, bëri të ditur se ekzistojnë rrethana që pengojnë ndjekjen penale për pikën e dytë të aktakuzës, pra për veprën penale “Pengim i pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”, raporton Telegrafi.

“Pasi që për këtë vepër penale është paraparë dënim me burgim prej 3 muaj deri në 3 vjet dhe ndjekja penale për këtë vepër ka filluar me 10 gusht të vitit 2016 dhe që nga kjo kohë ka kaluar dyfishi i ndjekjes penale, andaj gjykata do të merr aktgjykim në fund të këtij shqyrtimi gjyqësor për këtë vepër penale”, tha gjykatësja Çanta.

Lidhur me këtë, prokurori Besart Mustafa nuk pati ndonjë koment.