Këshilli i Mandateve mblidhet këtë të hënë në orën 12:00 në Kryesinë e Kuvendit për të shqyrtuar kërkesën e SPAK, që kërkon dhënien e autorizimit për arrestimin e ish kryeministrit Sali Berisha.

Lideri i Foltores prej javësh refuzoi të paraqitej pranë gjykatës speciale, me argumentin se masa ndaj tij ishte marrë duke anashkaluar Kuvendit dhe ai nuk e njihte një vendim anti kushtetues.

Tani që prokurorët trokitën në Parlament për heqjen e imunitetit të tij, Sali Berisha nuk e ka konfirmuar ende nëse do të ulet përballë tyre në mbledhjen vendimtare të orës 12.

Edhe pse grupin e deputetëve e kishte kundër, Berisha ka thirrur protestë tek kryesia e Kuvendit në të njëjtën orë që Këshilli për Mandatet dhe Imunitetin do të mblidhet për arrestimin e tij.

Gazmend Bardhi nuk e mbështeti idenë e protestave, por ai është një prej 30 deputetëve që i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të ndaluar arrestimin e Berishës.

Ish kryeministri është nën hetim nga SPAK për dosjen “Partizani”, nga privatizimi i të cilit, sipas prokurorëve, dhëndri i Berishës përfitoi 5 milionë euro.

Për këtë, lideri i Foltores u vu nën hetim nën masën detyrim paraqitje dhe mos dalje jashtë vendit, por Berisha nuk iu bind me argumentin e kishte imunitet.

Pas 3 mosparaqitjesh pranë SPAK, prokurorët kërkuan një masë më të ashpër ndaj tij, me arrest në burg, apo shtëpiak.

Berisha ka deklaruar se do ta respektojë vendimin që kalon nga Kuvendi, pavarësisht se prokurorët i konsideron ushtarë të Ramës.

Socialistët nuk do të mbrojnë Berishën, njëjtë siç kanë bërë me kolegët e tyre, dhe do të autorizojnë prokurorinë dhe gjykatën të marrin masa ndaj tij.

Kuvendi ka parashikuar ditën e martë për të votuar heqjen e imunitetit të Sali Berishës.