Një burim diplomatik brenda Bashkimit Evropian i tha Radios Evropa e Lirë se BE-ja dhe shtetet anëtare do të vëzhgojnë me kujdes se si po zbatohet procesi i liberalizimit të vizave për shtetasit kosovar.

“Kosova deri me tash ka pasur një performancë shumë të mirë, madje më të mirë sesa vendet të cilat para saj kishin liberalizimin. Bëhet fjalë kryesisht për numrin e azilkërkueseve të pabazuar dhe gatishmërinë e Kosovës për t’i pranuar personat që dëbohen nga shtetet e BE-së”, tha ai.

Ky diplomat ka theksuar po ashtu se pret që Kosova edhe pas nisjes së liberalizimit “të dëshmojë seriozitetin në përmbushjen e obligimeve”.

Nga 1 janari i 2024-ës, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në 27 shtete të zonës Schengen.

Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë brenda gjashtë muajsh në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme. Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune apo përfitime të tjera.

Kosova ishte vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit deri më tani nuk mund të lëviznin lirshëm në zonën Schengen.