Nga Carlo Bollino/

Ishin ditë të ftohta si këto, kur u transferova nga Italia për të jetuar në Tiranë. Ekzaktësisht 31 vite më parë. Vija në Shqipëri si një gazetar perëndimor plot me entuziazëm dhe i mbushur me iluzione, deshirë për liri por ndoshta, edhe me naivitet që më krijoi një farë mburoje vetë-mbrojtëse përpara. Edhe sot e kësaj dite e kam të vështirë të parashikoj të keqen që mund ta kenë si qëllim të tjerët ndaj meje dha asnjëherë nuk i paragjykoj njerëzit pa pasur prova të sakta të keqdashësisë së tyre. Por besoj se në fund të fundit, ajo mburojë kristali mbrapa të cilës ”luftova”, vërtet më ka shpëtuar jetën disa herë, sepse në sytë e kujt më sulmonte, dukej një mburojë kërcënuese dhe për fatin tim nuk e kuptuan asnjëherë se ishte thjeshtë pavetëdije. Mburoja e kristaltë më mbrojti nga të gjithë ata armiq që normalisht kërcënonin një gazetar që punonte në një vend të ndërlikuar siç ishte Shqipëria e viteve ’90 dhe siç, pjesërisht, vazhdoi të ishte edhe në dhjetëvjeçarët në vazhdim. Për hirë të së vërtetës kush më ka kërcënuar më shumë nga të gjithë ka qenë gjithmonë Sali Berisha dhe pushteti i tij arrogant.

Erdha në Shqipëri me një tufë trëndafilash në duar, i gatshëm për t’i dhuruar Shtetit (me nismë të botuesit tim italian që më kishte besuar hapjen e Gazetës Shqiptare) një autoambulancë e pajisur me aparate për reanimacion. Ishte shkurti i 1993 dhe mjete të ndihmës së shpejtë kaq moderne në Shqipëri ishin ndoshta vetëm dy. Fola me Genc Pollon, që në atë kohë ishte zëdhënës i Berishës president-perandor, por ai i bezdisur, e refuzoi atë dhuratë. Asnjëherë nuk e kuptova përse. Pak muaj më vonë nisi persekutimi im përmes çdo forme presioni, kërcënimesh dhe sidomos shpifje. Në Shqipëri e kuptova dhe provova për herë të parë se ç’do të thotë të linçohesh moralisht nga një qeveri dhe mediat e saj, pa mundur të kuptosh arsyen.

Sqarimi i parë me erdhi vetëm në vitin 1994, në prag të referendumit të famshëm mbi reformën kushtetuese përmes të cilës Berisha synonte të përvetësonte përfundimisht të gjitha pushtetet. U ftova nga Edi Paloka në një kafene të Tiranës: Ai ishte zëdhënës i Partisë Demokratike dhe pa shumë stërhollime më pyeti se nga cili krah anoja. “Ne e kemi të qartë listën e mediave që na mbështesin dhe të atyre që na kritikojnë, – më shpjegoi, – por në mes je ti dhe nuk e dimë nga cila anë je”. “Nuk jam me askënd – iu përgjigja me një buzëqeshje, – jam i pavarur”. Mendova se e kisha qetësuar, por në fakt ajo përgjigje dekretoi dënimin tim: “I pavarur? Atëherë do të thotë se je kundër nesh”, ishte përfundimi i tij. Të jesh i pavarur për kulturën e tyre arkaike është më keq se të jesh armik, sepse një gazetar i pavarur është shumë më i besueshëm se një gazetar kundërshtar dhe si rrjedhojë shumë më i rrezikshëm. Në fakt, që nga ai moment e tutje më trajtuan dhe vazhdojnë të më trajtojnë si një armik. Një prej armiqve më të tmerrshëm.

Forca banale e Sali Berishës është në faktin se nuk ndryshon kurrë mendim. Në 31 vite është përpjekur dhjetëra herë të më mbyllë gojën. Por mburoja ime prej kristali dukej se e trembte, prandaj prej shumë vitesh më ka sulmuar gjithnjë me mjete të pandershme duke ua deleguar ushtarëve të vet veprimet. Dy vitet e para më mbuloi me shpifje. Ishin vitet kur më etikonte si spiun, spiun i dyfishtë, spiun i trefishtë, “gjeneral gramofoni”, “italioni” sabotues i gjuhës shqipe, deri në etiketimin fantazioz “fashisto-komunist”. Dy vite me këto etiketime prej tij dhe gazetarëve të tij!!! Gati përditë. Lexoja ato tituj dhe nuk dija se si të reagoja, zgjodha të vazhdoja të punoja. (Shqiptarja.com)