Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë vijon edhe gjatë këtij fillimviti të ngjallë kureshtjen e turistëve vendas e të huaj.
Gjatë muajve janar-shkurt muzeun e kanë vizituar një numër i lartë turistësh të huaj.
Muzeu Historik dhe Etnografik Krujë ndau në rrjetet sociale përshtypjet e vizitorëve spanjollë dhe italianë për Krujën dhe historinë e Gjergj Kastrioti Skënderbeut.
“Mua më pëlqeu shumë kjo kala dhe e gjithë historia e saj. Është prezantuar shumë mirë, e rindërtuar shumë mirë. Sigurisht nuk do ta harroj kurrë Skënderbeun dhe gruan e tij Donika, që është e varrosur në Valencia. Është shumë mirë për të ditur pak historinë e Shqipërisë. Ishte fantastike me të vërtetë”, tha një turiste spanjolle.
Ndërsa Marco, Antonio dhe Giuseppe nga Napoli, të cilët kanë zgjedhur t’i kalojnë vitet e pensionit në vendin tonë, theksuan se “është e rëndësishme të vizitosh vendin ku gjendesh si për punë, si për të kaluar vitet e pleqërisë, si ne që jemi pensionistë dhe që kemi vendosur të kalojmë pjesën tjetër të viteve në që do të vijnë në Shqipëri”.
“Është më bukur sesa thuhet”, u shprehën ata.
Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi, tha për ATSH-në se “në dy muajt e parë të vitit kryesojnë vizitorët italianë, spanjollë dhe polakë”.
Sipas tij, këta turistë përbëjnë dhe numrin më të lartë të vizitorëve të huaj në qytet, te Pazari dhe muzeu i Krujës.
Nga janari deri në dhjetor të vitit 2023 muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” u vizitua nga 110,162 vizitorë, ku 50 % ishin vizitorë të huaj, 30 % vendas dhe 20 % nxënës dhe studentë.
Në muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale apo riprodhime autentike, që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë.