Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka uruar qytetarët me rastin e 104-vjetorit të shpalljes së Tiranës si Kryeqytet i Shqipërisë.
Përmes një videomesazhi, Veliaj thotë se ky 11 shkurt është një nga ato ditë, kur secili është krenar që jeton dhe punon në një qytet kaq dinamik si Tirana.
Veliaj nënvizon se ky qytet ka treguar se mund të modernizohet nga kryeqendër e izolimit, në një kryeqendër të hapjes, së turizmit dhe të teknologjisë së informacionit.
Ndër të tjera, Veliaj deklaroi se qyteza e Tirana e vogël e 104 viteve më parë, sot është kthyer në zemrën që rreh ekonominë, politikën, artin, kulturën dhe gjithçka tjetër në shoqërinë e shqiptarëve.
Urimi i plotë i Veliajt:
Përshëndetje të dashur qytetarë, të dashur miq, edhe dashamirës të Tiranës sonë!
Sot Tirana mbush 104 vjet si Kryeqyteti i Shqipërisë dhe i të gjithë shqiptarëve, ndaj më lejoni t’ju marr pak kohë për t’ju uruar me fjalët e zemrës këtë përvjetor të rëndësishëm për kryeqytetin!
Qindra dhe qindra vite të tjera të begata Tiranës sonë dhe tironsve të rinj e të vjetër kudo ku janë!
Sot është një nga ato ditë, kur secili prej nesh është krenar që jeton dhe punon në një qytet kaq dinamik, kaq bujar dhe kaq modern, saç është bërë Tirana jonë këto vite; që ka krijuar familjen e tij këtu dhe që kontribuon në shoqërinë tonë, që mbjell ndoshta një pemë për qytetin, por që mbi të gjitha ka hedhur rrënjë dhe e sheh të ardhmen e tij dhe të fëmijëve të tij këtu në këtë qytet. Për ne tironsit, ky qytet është shtëpia jonë e madhe, zemra jonë e madhe, prandaj në këtë 104-vjetor, lutja ime është të jemi gjithmonë bashkë, siç kemi qenë në histori të vështira siç është një familje, siç ishim gjatë pandemisë, gjatë tërmetit, siç kemi qenë në çdo situatë që na ka sfiduar. Dhe si një familje e madhe të reflektojmë për gjithçka kemi bërë deri më sot, por edhe për atë që duam të projektojmë në ëndrrat tona, në mendjen tonë, në planet tona, për qytetin e 104 viteve që do të vijnë.
Ne tironsit, më shumë se kushdo tjetër, e kemi provuar se kur jemi bashkë, ne mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme dhe askush nuk na ndal. Ne kemi treguar që ngrihemi fuqishëm edhe kur rrëzohemi nga pandemia apo tërmeti. Ne kemi treguar sesi ky qytet mund të modernizohet nga kryeqendër e izolimit, në një kryeqendër të hapjes, së turizmit, të teknologjisë së informacionit. Ndaj dëshira ime, urimi im këtë 104-vjetor, është të vazhdojmë të punojmë së bashku, të mbështesim njëri – tjetrin dhe të ecim përpara pa u ndalur, për ta kthyer Tiranën, në pjesën më evropiane, të Shqipërisë sonë evropiane në Ballkan.
Puna e përbashkët na ka bërë qenie më të mira, na ka bërë tironsa më të mirë, na ka treguar se ne këtu e kemi vetë në dorë sesi do të ecim përpara, si do të transformojmë këtë qytet ku kemi vendosur të jetojmë dhe ku kemi vendosur të rrisim fëmijët tanë. Është po aq e rëndësishme të kujtojmë jo vetëm cilët jemi dhe çfarë kemi bërë, por edhe nga vijmë, si të përmirësohemi dhe ku duam të shkojmë në të ardhmen.
E kam thënë gjithmonë se, Tirana, na do të gjithëve njësoj. Se kur mbështesim njëri – tjetrin nxjerrim më të mirën nga vetja jonë dhe nga qenia jonë.
Ky qytet e nisi rrugëtimin e tij si kryeqendra e shqiptarëve, 104 vite më përpara, kur qeveria e larguar nga Durrësi, ishte në Lushnjë në “Kongresin e Lushnjës” dhe kishte nevojë për një qytet provizor, për të pasur selinë e qeverisë për pak ditë. Ato pak ditë u kthyen në pak javë, e në disa vite dhe më në fund Tirana u bë kryeqytet permanent i të gjithë shqiptarëve, që vazhdon të jetë dhe sot, e do jetë në jetë të jetëve!
Kur qeveria erdhi në atë qytet provizor, Tirana kishte rreth 10 mijë banorë, sot ka 104 herë më shumë, në 104 vite histori. Do të thotë që ajo qytezë e vogël, sot është kthyer në zemrën që rreh ekonominë, politikën, artin, kulturën dhe gjithçka tjetër në shoqërinë e shqiptarëve. Sot ky qytet është qyteti i mbi 1 milionë banorëve, por edhe i 1 milionë zemrave që rrahin për të, 1 milionë ideve, projekteve dhe ëndrrave që thuren çdo ditë për Tiranën tonë.
Ne kemi punuar fort për të mbërritur deri këtu.
Kush thotë se ky vend nuk bëhet, dua t’i kujtoj që, ne jemi Tirana “Kryeqyteti Evropian i Rinisë”; ne jemi Tirana “Kryeqyteti Europian i Sportit”, ne jemi Tirana që drejton sot me “B-40” të gjithë bashkitë e Ballkanit, ne do të jemi Tirana “Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës” në 2025-ën, për të treguar që ky vend ka taban, ka art, ka kulturë, prodhon pafundësisht nga ëndrrat tona edhe nga zemrat tona.
Të gjithë bashkë e kemi bërë të mundur dhe të gjithë bashkë do vazhdojmë ta çojmë tiranën përpara.
Formula e suksesit e qytetit tonë është se kur mbështesim njëri – tjetrin, kur i themi njëri – tjetrit “Bravo të qoftë!”, “Ec përpara!”, “Jam shumë krenar për punën që po bën edhe për projektet që po thur!”, atëherë sukseset i secilit prej nesh, është suksesi ynë i përbashkët! E gjithë Tirana gëzon kur secili prej nesh ia del në këtë qytet.
Sepse tirana jemi ne dhe ne jemi në rrugë të mbarë.
Unë ju uroj një të diel të qetë! Shpresoj që do të ngrini një dolli për Tiranën tonë në ato dreka dhe darka që keni sot dhe një javë të mbarë në vijim!
Gëzuar 104-vjetorin e Tiranës sonë kryeqytet!