Kuvendi i Republikës së Shqipërisë shqyrton sot projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.
Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje thellon bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, duke ndërtuar ura të reja të njohurisë dhe inovacionit në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.
Një shtyllë kryesore e kësaj marrëveshjeje është mbështetja për lëvizshmërinë e studentëve, duke ofruar bursa për studime për të lehtësuar barrën financiare për studentët shqiptarë në Shqipëri dhe Kosovë.
Përveç kësaj, lehtësimi i procedurave për njohjen reciproke të certifikatave dhe diplomave do të mundësojë lirinë e studentëve dhe profesionistëve për të ndërtuar karriera dhe për të ndarë njohuri në një spektër më të gjerë gjeografik.
“Për ne si Ministri e Arsimit ka një rëndësi të veçantë bashkëpunimi me Kosovën për të nxitur edhe më tej shkëmbimin e eksperiencave të stafeve akademike, mobilitet të studentëve si dhe mbështetjen me bursa të studentëve nga Kosova, që do të vijnë të studiojnë në Shqipëri.
Eshtë një marrëveshje që vjen në vazhdën e një bashkëpunimi të gjerë mes Shqipërisë dhe Kosovës, i cili shtrihet në të gjitha nivelet arsimore, që nga arsimi bazë deri në kërkimin shkencor.”, tha në fjalën e saj në Kuvend, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerra Manastirliu.
Synimi është të zhvillohet një bashkëpunim i ngushtë në arsim dhe shkencë, duke i integruar institucionet tona në kuadër të programeve arsimore të Bashkimit Evropian, të Këshillit të Evropës dhe të UNESCO-s.

Ministrja vuri theksin te rëndësia e kësaj marrëveshjeje si vazhdimësi e historisë së bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Një nga ngjarjet më të mëdha dhe të shumëpritura në fushën e arsimit shqiptar ishte organizimi i të gjithë procesit, duke filluar nga konkursit për tekstin e përbashkët të Abetares, Shqipëri-Kosovë, edhe sot si në Shqipëri edhe në Kosovë, mësohet me një tekst, me Abetaren tonë Shqipe.
Po puna nuk ka ndalur këtu, tekstet e përbashkëta të mësimit të gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë, kanë përfunduar për nivelin e parë dhe jemi duke punuar gjithashtu për nivelin e tretë të tekstit, “Gjuha shqipe dhe Kultura Shqiptare”, për diasporën”, tha Manastirliu.