Albert Gudmundsson është një nga emrat më të spikatur në javët e fundit në merkato, por atë e presin telashe. Ylli i Genovas është dërguar në gjyq për një rast të dyshuar për dhunë seksuale, i mbyllur fillimisht dy muaj më parë, por tashmë i rihapur pas ankesës së paraqitur nga gruaja që e akuzon.

Faktet datojnë që në verën e kaluar, në gusht 2023, kur futbollisti u raportua nga një vajzë që e takoi në një klub në Reykjavik, ndaj Gudmundsson do t’i duhet të paraqitet në një gjykatë në vendlindje, në vjeshtë.

Gudmundsson, i cili gjithmonë ka deklaruar pafajësinë e tij, është në rrezik të madh, pasi Neni 194 i Kodit Penal të Përgjithshëm Islandez në lidhje me krimet seksuale thotë se “kushdo që kryen marrëdhënie ose marrëdhënie të tjera seksuale me një person pa pëlqimin e tij është fajtor për përdhunim dhe dënohet me burgim nga minimumi 1 vit deri në maksimum 16 vjet”.

Rasti i sulmuesit ka krijuar një sensacion të tillë saqë presidenti i Federatës së Futbollit e pezulloi Gudmundsson nga ndeshjet me kombëtaren. Kjo pasi, sipas rregullave të federatës kushdo që është nën hetim nuk mund të stërvitet apo të marrë pjesë në ndeshje me pjesën tjetër të ekipit.