Gazetarja Aida Topalli e ftuar në “Breaking” në Top Neës, ka dhënë detaje nga infiltrimi i vajzave nëpër grupet kriminale, për të nxjerrë informacione që mund t’i hynin në punë.

Ajo tregoi tre raste kur këto vajza u përdorën për të zbuluar më shumë rreth automjeteve që përdornin, apo vendeve që frekuentonin, për të mbajtur nën kontroll armikun.

Aida Topalli: Janë të paktën tre episode të kësaj dosje, ku nga ana e kundërshtarëve mes njëri-tjetrit tentohet që të futen femra për të takuar dhe për të marrë informacione nga kundërshtarët e tyre.

Kujtim Ibra: Jo femra, personazhe të njohura biles.

Aida Topalli: Nuk mund ta them këtë avokat sepse nuk është cilësuar gjëkundi, ndoshta po të kisha emra patjetër do i etiketoja si personazhe të njohur të mediave. Por duhet theksuar se zakonisht personazhe të tillë nuk shoqërohen me vajza të thjeshta. Domosdoshmërisht krenaria e tyre është që të jenë vajza o pjesë e showbizit, o të njohura ose miniminalisht të jenë vajza të mbajtura, blogere në rrjetet sociale etj.

Dafina Hysa: Sa janë të përfshira në aktivitete kriminale vajzat?

Aida Topalli: Unë di një rast kur Arben Ndoka tenton t’i fusë një vajzë, ose një nga anëtarët e grupit të Ndokës tenton t’i fusë një vajza Durim Bamit. Një rast tjetër kur Ervis Martinaj tenton t’i fusë një vajzë shokut të ngushtë të Durim Bamit. Këto citohen në dosje por nuk qartësohen sepse ne nuk disponojmë të dhënat që prokuroria ka. Vetëm një pjesë të vogël të vendimit të zbardhur, kështu që nuk di deri ku ka shkuar roli i këtyre dy episodeve. Në një episod tjetër Erigers Mihasi kontrakton një mikeshë të tij, pa emra, nuk flitet me emra në mesazhet e transkriptuara dhe i thotë të lidhë kontakt me Leonard Dukën. Vajza lidh kontakt me Leonard Dukën, takohen. Leonard Duka i shoqëruar edhe nga një prej miqve të tij, ulen në një restorant në zonën e Dajtit, dhe konsumojnë një darkë së bashku me vajzën që kishte kontraktuar Erigers Mihasi apo siç njihet ndryshe si një nga krahët e djathtë që ka pasur Ervis Martinaj. Kjo e fundit merrte informacione, sigurisht jo informacione të klasit të parë, jo të klasifikuara, por informacione për automjetet që përdornin, për vendet që frekuentonin etj që grupet kundërshtare të kishin mundësi të dinin se ku të fokusoheshin me ruajtjet e tyre dhe çfarë makinash të ruanin. Këto vajza kishin një rol dytësor dhe në asnjë moment, të paktën referuar atyre që lexohen, nuk e dinin që arsyeja pse po i takonin këto personazhe, kishin për qëllim mbledhjen e informacioneve dhe të të dhënave për grupet kundërshtare me qëllime kriminale, pra për të ekzekutuar personazhet ku hynin dhe bënin pjesë.