Festivali i fundvitit në RTSH është afër. Teksa çdo gjë është gati sa i takon artistëve që do të garojnë në këtë sezon, Vip Magazine ka mësuar edhe emrat e moderatorëve që do të drejtojnë spektaklin në Pallatin e Kongreseve.

Nga sa kemi mësuar, bëhet fjalë për Enkel Demin i cili pak javë më parë nga po i njëjti vend rrëmbeu çmimin si autori më i mirë në Panairin e Librit. Nga moderimi i emisioneve të mëngjesit, Enkel Demi do të rikthehet në spektaklet e mbrëmjes, për herë të parë si moderator i festivalit të fundvitit. Krah tij, një tjetër rikthim i një figure të shquar të ekranit shqiptar.

Pas largimit nga Shqipëria disa vite më parë, Ornela Bregu rikthehet sërish në vend kësaj here për të moderuar festivalin krah për krah me Enkel Demin. Ornela Bregu rikthehet në vendin tonë dhe këtë herë i besohet moderimi i një prej festivaleve më të njohur në vendin tonë. Nëse rikthehemi pas në kohë, të gjithë do të kujtoni Ornelën, si moderatorja e parë e “Portokalli”.

Megjithatë, më pas ajo u shkëput për në Spanjë, ku edhe vijon jetën e saj me bashkëshortin dhe fëmijët. Por ka qenë ftesa për të prezantuar Festivalin e RTSH, ajo që ka rikthyer edhe njëherë në skenë moderatoren e njohur të viteve 2000. Ndërkohë me shumë kuriozitet po priten edhe emrat pjesëmarrës në këtë festival. Bie në sy rikthimi i Elvana Gjatës, që pak vite më parë nuk arriti të përfaqësonte Shqipërinë në Eurosong. Ndonëse ishte favoritja, Arilena Ara triumfoi, duke përfaqësuar ajo vendin tonë në festivalin e muzikës europiane.

Këtë herë, sërish Elvana përflitet si emri më i fortë për të triumfuar në këtë kompeticion. Megjithatë, lista ka një sërë artistësh të njohur. Algert Sala, Alis Kallacej, Ardit Çuni, Devis Xherahu, Djemtë e Detit, Elvana Gjata, Endrik Beba, Epos Grup, Erma Mici, Frensi Revania, Gjergj Kaçinari, Gresa Gjocera, Jet, Kejsi Jazxhi, Kleansa Susaj, Laurjan Ejlli ft. Adelina Corraj, Lorenc Hasrama, Luna Çausholli, Mal Retkoceri, Martina Serreqi, Mihallaq Andrea, Nita Latifi, Olsi Bylyku, Orgesa Zaimi, Rea Nuhu, Ronaldo Mesuli, Santino De Bartolo, Shkodra Elektronike, Stine, Vesa Smolica janë emrat e konkurrentëve të këtij viti.

Komisioni i përbërë nga profesionistë të fushës së muzikës, kanë vendosur unanimisht të shpallin 30 këngët që do të jenë pretendente për çmimet e këtij Festivali, pa diskutim edhe pretendente për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion, që do të zhvillohet në maj të vitit 2025 në Bazel, Zvicër. Në listën e përzgjedhur spikasin artistë të njohur të muzikës shqiptare, rikthime të artistëve që kanë bërë historinë e muzikës dhe artistë të rinj. Ashtu edhe si dihet, drejtoresha artistike për këtë vit do të jetë Elhaida Dani, e cila është shprehur se tashmë është gjithçka gati për këtë festival.