Izraeli dhe Hamasi kanë arritur marrëveshje për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve. Sipas marrëveshjes, e cila ende nuk është shpallur zyrtarisht, Hamasi dhe grupet militante aleate pritet të lirojnë 33 pengje të kapura gjatë sulmit palestines të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit. Në këmbim, Izraeli do të lirojë qindra të burgosur palestinezë.
Nga ana tjetër, zyra mediatike e Hamasit u tha banorëve të enklavës që të mos largohen nga shtëpitë e tyre derisa armëpushimi të hyjë zyrtarisht në fuqi. Marrëveshja për armëpushimin dhe pengjet mes Izraelit dhe Hamasit u arrit pasi kryeministri i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman al-Thani mbajti takime të veçanta me zyrtarët e Hamasit dhe negociatorët izraelitë në zyrën e tij.
Edhe pse marrëveshja është arritur, pritet që të publikohet në orët e ardhshme. Megjithëse marrëveshja e propozuar për Gazën nuk është shpallur ende zyrtarisht, Reuters detajon se marrëveshja do të përfshijë një fazë fillestare 6-javore të armëpushimit, një tërheqje graduale të forcave izraelite, lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe lirimin e të burgosurve palestinezë të mbajtur nga Izraeli.
Lidhur me armëpushimin ka pasur një reagim edhe nga presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump.
“Kemi marrëveshje për pengjet në Lindjen e Mesme. Ata do të lirohen shpejt,”- njoftoi Trump në platformën “Truth Social”.
Ndërsa Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se marrëveshja për armëpushim me Hamasin nuk është arritur ende dhe se është duke u vendosur për hollësitë e fundit të saj. Nga ana tjetër, Hamasi – i cili është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – nuk është deklaruar ende.
Marrëveshja parasheh ndaljen e fillestare të luftimeve për gjashtë javë, dhe pastaj të hapen bisedime për t’i dhënë fund luftës plotësisht.
Gjatë këtyre gjashtë javëve, 33 nga gati 100 pengjet do të ribashkohen me të dashurit e tyre duke u liruar nga robëria disamujore, megjithëse mbetet e paqartë nëse të gjithë janë ende gjallë. Mbetet e paqartë se kur dhe sa prej palestinezëve të zhvendosur do të jenë në gjendje të kthehen në atë që ka mbetur nga shtëpitë e tyre dhe nëse marrëveshja do të çojë në një fund të plotë të luftës dhe tërheqjen e plotë të trupave izraelite nga Gaza, e cila është kërkesa kyçe e Hamasit për lirimin e të gjithë pengjeve të mbetur. Ende mbeten shumë pyetje për Gazën pas luftës, duke përfshirë se kush do ta qeverisë territorin ose do ta mbikëqyrë detyrën e vështirë të rindërtimit.
Lufta në Gazë filloi kur militantët e udhëhequr nga Hamasi thyen mbrojtjet kufitare dhe u futën në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, duke i vrarë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke i rrëmbyen rreth 250 të tjerë. Rreth 100 pengje janë ende brenda Gazës, dhe besohet se një e treta e tyre janë të vdekur. Prej atëherë, lufta e Izraelit i ka vrarë mbi 46.000 palestinezë në Gazë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.