Partia Demokratike paraqiti si provë ditën e sotme në mbledhjen e KAS ku ka ankimuar rezultatin e zgjedhjeve të Kukësit që certifikoi KQZ dhe kërkon pavlefshmëri, edhe një shkrim të portalit të medias së familjes së Sali Berishës.

Franc Nuri e pretendoi si një shkelje zgjedhore prezencën e kreut politik të PS-së Eduard Shalsi në një ceremoni të 5 majit për nderimin e dëshmorëve policë. Shalsi mori pjesë në Drejtorinë e Policisë Kukës dhe nuk bëri deklarata politike dhe as përdori burime shtetërore.

Ky ishte konkluzioni i KQZ-së. Drejtoresha e KQZ,Pavlina Doçaj u shpreh:

“Shkrimi i ‘Syrit’ nuk është provë. Mbase ‘Shqiptarja.com’ e ka trajtuar ndryshe këtë lajm. Me një lajm nga një portal nuk mund të përsërisim zgjedhjet!”

Kurse Elena Xhinaj, përfaqësuese e PS, nënvizoi:

“Shalsi në atë lajm nuk përdori burimet shtetërore. Ishte 5 Maji. Nderoi një familje dëshmori nga forcat e policisë. Kurse Raporti i ODIHR, nuk përbën shkak për pavlefshmëri”.

Franc Nuri, përfaqësues i PD, foli edhe për çështjen e votës së diasporës, por pranoi se nuk e dinte se çfarë kishin bërë përfaqësuesit e opozitës në çdo cep të vendit.

“Ne nuk dimë çfarë kanë bërë përfaqësuesit tanë në çdo cep të vendit. Ne kemi kontestuar votën e diasporës, minimalisht”, tha ai.