I gjithë ekipi që garoi për Partinë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit është mbledhur për të festuar në Pallatin e Brigadave fitoren e thellë. Kryesocialisti Edi Rama po mban edhe një fjalim.

“Faleminderit për vlerën e shtuar që solli secili dhe secila këtu në këtë arritje historike për PS. PS nuk është qëllim, por mjet për të luftuar. Për të arritur qëllimet duhet të fitosh zgjedhjet, nuk na duhen për të mundur të tjerët, nuk është sport, edhe pse ngjan shumë me sportin. Do përdorim mandatin katër si fuqi e madhe vetëkorrigjuese, jemi ngjitur aq lart sa askush nuk e ka besuar”, tha Rama.

Një koment e ka edhe për kundërshtarët politikë.

Të tjerët nuk duan ta pranojnë realitetin e fakteve, kjo i ka bërë humbës kronikë, ndërsa Shqipërinë e ka lënë pa alternativë sfiduese. Ata janë futur prej vitesh në spiralen e një lufte absurde me fakte dhe jetojnë në një univers paralel, ku Shqipëria që përparon është thjeshtë propagandë, shumica e shqiptarëve janë të blerë ndërsa ndërkombëtarët thuasje të gjithë të shitur. Zgjedhjet i fitojnë ata gjithnjë e më thellë, ndërsa ne i vjedhim gjithnjë e më shumë.

PS mori më 11 maj besimin për një mandat të katërt, duke marrë në total 83 mandate.