Qeveria e Kosovës ka vendosur të pranojë kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zhvendosjen dhe pranimin e përkohshëm të deri në 50 shtetasve të vendeve të treta. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka bërë të ditur këtë vendim në një status zyrtar, ku theksoi gatishmërinë e vendit për të mbështetur aleatin strategjik të Kosovës.
“Sipas këtij vendimi, shteti ynë brenda një periudhe njëvjeçare do të pranojë dhe strehojë deri në 50 individë me qëllim të lehtësimit të kthimit të tyre të sigurt në vendin e prejardhjes,” shkruan Kurti, duke shtuar se përzgjedhja e këtyre personave do të bëhet në bazë të një liste të propozuar dhe të kritereve të përcaktuara për sundimin e ligjit dhe rendin publik.
Sipas Kurtit, gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, këta persona do të jenë të detyruar të respektojnë legjislacionin e vendit dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara në përputhje me ligjin në fuqi.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten aleat i yni palëkundur dhe Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë partner i besueshëm i tyre. U jemi përherë mirënjohës për ndihmën dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, dhe e vlerësojmë lartë mbështetjen në mbrojtje e zhvillim, e sidomos në rrugëtimin tonë drejt integrimit Euro-Atlantik,” përfundon Kurti.
Ky vendim i Qeverisë së Kosovës vjen si shenjë e partneritetit të ngushtë me SHBA-të dhe dëshmon angazhimin e Kosovës për të kontribuar në çështjet globale të sigurisë dhe stabilitetit. Për më tepër, ky hap konfirmon edhe një herë qëndrimin e Kosovës si partner i besueshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe forcimin e imazhit të saj në arenën ndërkombëtare.