Zgjedhja e Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit, ka lënë shenjat e para.

Pakënaqësi në Vetëvendosje ka shpërthyer.

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka dhënë dorëheqje nga pozita.

Ai e ka bërë të ditur lajmin në rrjete sociale, dhe arsye është zgjedhja e Dimal Bashës kryetar i Kuvendit.

“Dua t’ju njoftoj që sapo e dorezova te Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, letrën e dorëheqjes sime nga detyra e Ministrit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Dorëheqja ime vjen pas zgjedhjes së djeshme të kryetarit te Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dje, pas votimit te kryetarit të Kuvendit, e kam njoftuar Kryeministrin Kurti për vendimin tim. Konsideroj që zgjedhja e djeshme e Kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, nuk është në frymën e në lartësihë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua”, ka thënë Aliu.

Liburn Aliu, kohë të gjatë nuk shihej shumë i afërt me Vetëvendosjen.

Edhe dje në Kuvend, mimikat e shumë deputetëve nuk ishin të lumtur me zgjedhjen e Bashës si kryetar i Kuvendit.

Dorëheqja e Liburn Aliut, ministër në detyrë i Infrastrukturës, ka shkaktuar tronditje.

Pavarësisht të gjithave, Aliu ishte njëri nga themeluesit e Vetëvendosjes, që kishte mbetur ende në parti.

Aliu bashkë me Albin Kurtin e Glauk Konjufcën, ishin bashkë qysh nga organizata KAN, e cila më pas u kthye në Vetëvendosje.

“Nga viti 2002 ka qenë ideja e konceptit të vetëvendosjes”, kishte thënë Aliu në emisionin DPT në T7.

“Ka qenë koncept që të e kemi pasur në të kaluarën. Kur u pata arrestuar në vitin 1997 pata thënë para gjykatësit serb se dua vetëvendojse për popullin tim. Ideja e vetëvendosjes ka qenë ajo e cila ka ndërtuar politikisht, pasi që na imponohej kjo ideja e standarteve. Na thonin plotësoni standartet që të mund të uleni në tavolinë me Serbinë, e pastaj të flitej për ndonjë status pa na pyetur ne a dëshirojmë pavarësi, bashkim me Shqipërinë apo tjetër çka”, thoshte ai.

“Shumica prej nesh i lanë edhe punët e tyre për tu marrë me organizatën. Nuk kishim fare donacione, ishim të limituar. Kujtoj se na ndihmonin edhe të blinim sprejin. Unë kisha fatin se gruaja punonte, dhe i tregova asaj se dëshiroja të angazhohem intensivisht me organizatën, dhe fatmirësisht ajo u pajtua me mua”, shpjegonte Aliu.

Ndaj tij ka filluar linçimi e sulmi nga përkrahësit e Vetëvendosjes.

Liburn Aliu kishte qenë i përfshirë edhe në disa dyshime për korrupsion, megjithatë për këtë, asnjëherë nuk u shqyrtuar shkarkimi i tij apo ndonjë masë nga VV-ja.

Nacionale kishte raportuar se Prokuroria Speciale po e hetonte lidhur me aferën e ambalazhuesve të ujit.

Kohë më parë, nga VV-ja u largua edhe dhëndri i Liburn Aliut, Berat Lahu.

Se a do të ketë pasoja të tjera nga zgjedhja e Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit, mbetet të shihet./Nacionale