Dita nis në Sheshin Skënderbej dhe rekomandohet herët në mëngjes kur nuk ka turma vizitorësh. Patjetër që të gjithë kur vijnë këtu ndalen tek ky shesh ikonik, ku pranë tij ndodhet edhe Muzeu Kombëtar, i cili aktualisht është i mbyllur.

Më tej në reportazhin e DW rekomandohet që mënyra më e mirë për të zbuluar Tiranën është ecja në këmbë, pasi shumë pika të rëndësishme janë përreth qendrës, siç është edhe Pazari i Ri ku mund të blihen suvenire të ndryshme që lidhen me historinë dhe traditat shqiptare, por njëkohësisht mund të gjenden edhe produktet lokale.

“Po provoj specialitetin shqiptar, byrekun, një produkt që e gjeni me mbushje të ndryshme, por unë po provoj byrekun tipik me spinaq dhe djathë. Ushqimi më i mirë shqiptar që kushton më pak se 1 euro.”

DW në reportazhin për kryeqytetin shqiptar sugjeron edhe Parkun Kombëtar të Dajtit si një atraksion turistik, ku pas ngjitjes mund të shijoni pamjen e mrekullueshme.

Një pikë tjetër që rekomandohet nga rrjeti gjerman DW është edhe muzeu “Shtëpia me Gjethe”, e cila flet për përgjimet në kohën e diktaturës, ku sot ato janë të ekspozuara për të gjithë kureshtarët e shumtë.

Gjithashtu, një pjesë e rëndësishme për udhëtimin një ditor në Tiranë është dhe arkitektura moderne dhe arti i rrugës në kryeqytet, të cilat tërheqin vëmendjen e gazetares gjermane, por edhe të turistëve të shumtë.

DW në reportazhin për kryeqytetin shqiptar ndalet edhe tek një nga zonat më in, siç është ajo e Ish-Bllokut, që frekuentohet nga të rinjtë ku mund të gjenden baret dhe restorantet e shumta me gatime tradicionale dhe moderne, që lënë përshtypje tek turistët.

Një ditë në Tiranë sipas DW mund të mbyllet më së miri me perëndimin e diellit tek Piramida, godina ikonike e cila, pas rivitalizimit të saj, ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve të shumtë nga ana e mbanë botës.