
Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar sërish Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, por ajo nuk i mori votat e mjaftueshme 57 për, 56 kundër, tri abstenime.
Më pas u votua edhe Donika Gërvalla, pa sukses. Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, një kandidat mund të propozohet maksimumi tri herë. Seanca e radhës është caktuar për të premten.
Gjykata Kushtetuese konstatoi se Kryesuesi i seancës ka shkelur Kushtetutën duke futur një votim të fshehtë që nuk parashihet në Rregulloren e Kuvendit, duke ndryshuar në mënyrë të paligjshme rendin e ditës. Gjykata theksoi se seanca konstituive duhet të përfundojë brenda 30 ditësh.
Opozita mban qëndrime të ndara, PDK voton vetëm kandidatë që s’kanë qenë ministra të Kurtit, LDK kërkon marrëveshje, dhe AAK ka përmendur emrat e Shqipe Selimit e Saranda Bogujevcit.
Presidenca e ka cilësuar konstituimin e Kuvendit si urgjencë shtetërore për stabilitetin dhe përfaqësimin demokratik.