Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, hodhi akuza të forta ndaj Gjykatës Kushtetuese duke e quajtur “hije politike të opozitës” ndaj Vetëvendosjes.

Pas këtyre komenteve të tij, të cilat u mbështetën dhe nga ish-kryeparlamentari, Glauk Konjufca, Kushtetuesja shprehu publikisht shqetësimin e saj ndaj atyre që i cilësoi “deklarata të pamatura të zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve politikë”, kundër vendimeve të kësaj gjykate.

Sipas organit më të lartë të drejtësisë, “pavarësia e Gjykatës Kushtetuese nuk është privilegj i gjyqtarëve që ajo ka, por është themel i shtetit të së drejtës”.

Edhe kreu i Misionit EULEX në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano i cilësoi të papranueshme sulmet ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve duke kërkuar që ato të ndalen.

“Pavarësia gjyqësore është një nga gurthemelët e sundimit të ligjit: pavarësia e gjyqtarëve duhet të respektohet nga të gjithë, në çdo kohë”, shkroi shefi i misionit EULEX në platformën X.

Bashkimi Europian sot u bëri thirrje të gjithë politikanëve “që të përmbahen nga tendencat për ndërhyrje në gjyqësor”.

“Pikëpamja e Bashkimit Evropian në Kosovë është se një nga parimet themelore të sundimit të ligjit është pavarësia e gjyqësorit, dhe se roli i Gjykatës Kushtetuese është të interpretojë dhe të udhëzojë për zbatimin e plotë të Kushtetutës së Kosovës. Është përgjegjësi e të gjithëve, përfshirë aktorët politikë dhe institucionet, të respektojnë këtë, dhe të përmbahen nga çdo formë e ndërhyrjes në punën e gjyqësorit, përfshirë përmes sulmeve personale”, tha Nikola Gaon, zëdhënës i Zyrës së BE-së në Kosovë.

Edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde dhe disa ambasadorë të vendeve të Quint-it, shprehën shqetësim së fundmi për ngërçin e vazhdueshëm politik dhe institucional që po ndodh në Kosovë, edhe pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.