Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, gjatë një dëgjese publike të mbajtur këtë të enjte për draftin e ri të Kodit Penal, deklaroi se ky dokument është një nismë e porositur nga vetë Ministria.

Kjo sipas Manjës ka ndodhur si pjesë e angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

Në tryezë ishte i pranishëm edhe kryesuesi i grupit të punës, Arben Rakipi, si dhe drejtori i Shkollës së Magjistraturës. Manja theksoi se puna për Kodin e Ri Penal ka ndjekur një proces të mirëmenduar dhe me rëndësi të veçantë.

“Që në krye të herës më duhet të them se roli i Ministrisë së Drejtësisë është ai i porositësit të draftit të Kodit të Ri Penal. Jemi ne Ministria që e kemi porositur këtë draft si përmbushje e detyrimeve tona, por edhe në procesin e negociatave me BE. Në procesin e draftimit të Kodit të Ri Penal ka dy rrugë, ose nëpërmjet Drejtorisë së Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë ose grupin e punës me ekspertë. Zgjodhëm të dytën sepse kjo ka një rëndësi të veçantë. Jam duke shpjeguar procesin. Menjëherë pas Reformës në Drejtësi është miratuar strategjia sektoriale e drejtësisë, ku thuhet se Shqipëria merr përsipër përmirësimin e legjislacionit penal në bazë të BE-së. Në shkurt të 2019 janë kryer vlerësimet e para për hartimin e Kodit të Ri Penal. Pjesa e përgjithshme e Kodit të Ri penal është bërë në 2020 dhe i janë bashkëngjitur herë pas here ekspertë të fushë.,” – tha Manja.

Drafti i ri i Kodit Penal është bërë objekt diskutimi që pas publikimit të tij në fund të korrikut, duke ngjallur reagime nga ekspertë të fushës, organizata të shoqërisë civile dhe aktorë të tjerë institucionalë.